Kryeministri Albin Kurti duke i përkujtuar të vrarët e familjes Muliqi, Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti, thirrje Prokurorisë: Trajtoni me seriozitet maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka përkujtuar të vrarët e familjes Muliqi në 25 vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës.

Kryeministri Kurti e ka vizituar vendin e prehjes së dëshmorëve të familjes Muliqi bashkë me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Blerim Gashani dhe deputetët e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje – Enver Dugolli e Gani Krasniqi.

Përmes një njoftimi, Kurti ka kujtuar se pas masakrës së 26 shtatorit në të cilën u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, forcat e armatosura serbe më 30.03.1999, vranë tetë burra të familjes Muliqi. 

Kurti ka thënë se katër nga të vrarët e familjes Muliqi ishin nxënës të moshave nga 13 deri 17 vjeҫ.

“Sejfulla Muliqi është dëshmor i kësaj familje, i cili pa i mbushur 17 vjet, kishte shitur lopën në Qirez për të blerë armën e për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, për të luftuar forcat okupatore serbe. Ai ka rënë në betejë më 19 gusht 1998” – ka shkruar Kurti, në profilin e tij Facebook.

Kurti ka bërë thirrje që kryesit e mundshëm që kanë bërë krime gjatë luftës në Kosovës të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij, për këto dy masakra nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar deri më sot. 

“Kodi i Procedurës Penale, me ndryshimet në 2019 dhe 2022, u jep mundësinë prokurorëve tanë për gjykim në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Që të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë të ballafaqohen me drejtësinë dhe ta marrin dënimin e merituar. Andaj sërish i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë” – ka thënë Kurti.

“Për drejtësi, që shëron e mbyll plagët e hapura e të njoma të familjeve të cilat i dhanë kaq shumë Kosovës për çlirim” – ka përfunduar ai.