Kurti: Putin është lider despotik dhe nostalgjik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin një lider despotik.

Kurti shtoi se Putin është një lider nostalgjik dhe do të donte ta kthente luftën hibride në luftë.

“Putini e përmendte Kosovën të paktën një herë në muaj dhe tani po e bën çdo javë, sepse thjesht e urren NATO-n, e urren Perëndimin. Ai është një lider despotik, i hidhëruar dhe nostalgjik dhe do të donte ta kthente luftën hibride në luftë”, tha Kurti në një intervistë për Sky News.

Ai i ka demantuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ditë më parë ka thënë se qytetarë të Kosovës kanë shkuar të luftojnë në Donbas të Ukrainës.

“Kjo tregon qëllimin e tij. Ai dëshiron të destabilizojë Ballkanin, prandaj po e thotë këtë gjë të rreme. Nuk ka qytetarë nga Kosova që kanë shkuar të luftojnë në Dumbas, është Rusia ajo që aneksoi Donbasin dhe Krimenë. Të mos harrojmë se Putini erdhi në pushtet si kryeministër i Federatës Ruse vetëm 2 muaj pas çlirimit të Kosovës në 1999 dhe më pas ai aneksoi Osetinë Jugore, Abkhazinë dhe Gjeorgjinë në të njëjtin vit muaj pasi ne shpallëm pavarësinë tonë më 17 shkurt të vitit 2008”, tha Kurti për Sky News.