Rruga "Lah Nimani" Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Kur do të përfundojë rruga “Lah Nimani” në Mitrovicë?
Veturat, kalimtarët e sidomos fëmijët që frekuentojnë rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë po përballen me vështirësi gjatë kalimit nëpër të.
Rruga “Lah Nimani”, e cila filloi të ndërtohet në vitin 2023, mbeti e papërfunduar akoma dhe bëri që në këtë zonë të bëhet një ‘kaos’ i madh.
E kur ka reshje atmosferike, pasojat po i vuajnë edhe pronarët e bizneseve.
“Dëmtimi i makinave, dëmtimi i bizneseve që i kemi aty përreth. Na faktiksisht prej që ka fillu kjo gjendje kaotike dëmtimi i biznesve ka ra për 80% poshtë. Pastaj rruga, balta. Para tri dite kam hasur në ata gropën, në atë ‘shahtën’ aty, natën mezi shihet ajo aty. Edhe për fëmijët është katastrofë. Shkojnë krejt me baltë në shkollë”- ka thënë Fetih Rexhepi për KALLXO.com.
Granit Tmava, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, ka thënë për KALLXO.com se kjo rrugë pritet të përfundojë më 24.11.2024.
“Afati i përfundimisht është më 24.11.2024 brenda këtij viti, mirëpo shpresoj shumë që me rezultatet që i kemi nga terreni të përfundojnë brenda afatit kohor. Nuk është zvarritë, nuk është vonu. Është në afatet kohore, komplet infrastruktuës me të gjitha mjetet që ia përcjell duke pasur parasysh sistemin kabllor nëntokësor, sistemin e rrjetit të kanalizimit, rrjetin e ujësjellësit dhe ndriçimit”- ka thënë Tmava për KALLXO.com.
Tutje ai thotë se problemet me shpronësim të pronave kanë qenë prezente gjatë realizimit të këtij projekti.
Ndërsa kur KALLXO.com raportoi në nëntor të vitit të kaluar, Granit Tmava, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës së Jugut kishte thënë se kjo rrugë do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Është kry sistemi kabllor nëntokësor, kanalizimi, kemi mbetë vetëm me punën e zhavorrit dhe kemi mbetë me qitë asfalltin. Në fillim të vitit të ardhshëm përfundon A-ZH. Asfaltin e kam lënë për vitin e ardhshëm. Në fillim të vitit të ardhshëm që i bie marsi apo prilli” – kishte thënë ai.
‘Lëmshi’ në dy rrugët në jug të Mitrovicës me ndërtimet, gropat dhe kanalizimin – Pamje