Gjendja në rrugët “Lah Nimani” dhe “Elevia Qelebia” në jug të Mitrovicës Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

‘Lëmshi’ në dy rrugët në jug të Mitrovicës me ndërtimet, gropat dhe kanalizimin - Pamje

Punimet e lëna në gjysmë afër shkollës, balta pas reshjeve në rrugë,  fluksi i makinave, problemi me kanalizim janë vetëm disa nga telashet me të cilat po ballafaqohen banorët e rrugëve “Lah Nimani” dhe “Elevia Qelebia” në jug të Mitrovicës.

Nga komuna thotë se punimet do të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Banorja Sara Kelmendi thotë se punimet intensive në këtë zonë kanë qenë në shtator e më pas janë lënë në gjysmë.

“Në shtator kanë punuar pa ndal çdo ditë. Ndërsa tash jo. E shtruan zall për me shtru rrugë. Ndërsa tash s’po di çka me thonë ka mbet kështu. Këtu bohet bazen. E kanë ndreq krejt po asfaltin se di pse nuk e shtrun mo. Qe disa javë ka mbet kështu”- ka thënë ajo.

Gjendja në rrugët “Lah Nimani” dhe “Elevia Qelebia” në jug të Mitrovicës Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Gjendja e infrastrukturës po u shkakton probleme edhe bizneseve që operojnë në këto rrugë.

Pronari i njërit prej lokaleve në rrugën “Elevia Qelebia”,  në kushte anonimiteti thotë se zvarritja  e këtyre punimeve ka bërë që pas reshjeve, uji të depërtojnë brenda lokalit të tij.

“Kemi problem me të reshura. Neve na hyn uji në lokal. dhe vetë mundeni me pa se çfarë lartësie është hyrja e lokalit me trotuarin, kësaj nuk mundesh me i thonë trotuar”- ka thënë ai.

“Dy persona nuk munden me kalu në trotuar. Na vetë me vetiniciativën tonë e kemi marrë i kemi largu kockat që kanë qenë të mbështetura për muri. Kemi nëna me karroca, kemi invalidë, kemi njerëz që e kanë thy kamën. Gati 2-3 muj një grua e ka mbajt kamën në gips si pasojë e punimeve dhe e vërshimeve. Kjo rrugë ka fillu gati që 1 vit”- shprehet qytetari.

Ai shton se kanë pas problem edhe me ndërprerjen e ujit.

Gjendja në rrugët “Lah Nimani” dhe “Elevia Qelebia” në jug të Mitrovicës Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

“Kanë mbet maqinat e naluna pa rrymë, pa ujë, është dëmtu gypi i ujit. 5 ose 6 orë kena mbet pa uje mbi 300 familje. Për çka, për ni gyp atje që e kanë dëmtu. Kjo është absurde, jonormale. As në xhungëll nuk është kështu. Ne po i hupim edhe si biznese myshteritë tanë. Shihe këtu bëhet liqe. Ma së pari nuk mundemi me dalë me gjujt bërrllogun se janë shaktat [pusetat] e nxana prej ujit atje”-ka thënë ai.

Ankesat e ngjajshme i ka H.I., pronari i një lokali tjetër cili thotë se has probleme me gypin e kanalizimit.

“Na ma shumë kemi telashe kështu në zyrë të punës që e kemi. P.sh gypin që e ka qit jashtë të ujërave. Nuk kanë derdhje në kanalizim por jashtë. Kjo po na kalb barin. E verës sidomos. Po kundërmon erë e keqe e pak ne vetë jemi mundu me rregullu. Puna e asfaltimit është pengesë por shpresojmë që e rregullojnë tash. Janë zvarrit punimet me rrugë tepër se nuk po i kryjnë ma gjasë këto shpronësime e sene. Masnej qështu po punojnë ka 2-3 ditë pak e po i lojnë në gjysmë. Ma shumë se ni muj s’kom has punëtorë”- theksoi ai.

Tutje ai thotë se banorët detyrohen të pastrojnë vendin si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike nga të rinjtë.

“Edhe në aspektin e sigurisë po kemi telashe. Dikush prej banorëve është edhe furnitorë i lëndëve narkotike. Policia veç e ka arrestu. Një farë djali vike rrike këtu dhjetë minuta, u sillke. Ai ish përdorues. E masnej dikush veç ia gjujti prej nalt e e mur. Po mundohemi na me pastru këtu çdo ditë. Vijnë natën tymosin pastaj ne në mëngjes i shohim krejt”- ka thënë ai.

KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes të martën dhe nuk hasi në  punëtorë.

Në anën tjetër, Granit Tmava, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës  në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka thënë se kjo rrugë do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Është kry sistemi kabllor nëntokësorë, kanalizimi , kemi mbet vetëm me punën e zhavorrit dhe kemi mbet me qit asfaltin. Në fillimin e vitit të ardhshëm përfundon A-ZH. Asfaltin e kam lënë për vitin e ardhshëm. Në fillimin e vitit të ardhshëm që i bie marsi ose prilli” – tha ai.

“Për shkak se unë e kam një planifikim buxhetor, e kam një plan për rrjedhje të parasë, në të cilën unë duhet me bo zbatimin e asaj kontrate që e kam për qat rrugë dhe nuk mundem me dal jashtë planifikimit të kontratës. Unë nuk mundem me punu ma shumë se që e kam punimin brenda vitit”- ka shtuar drejtori komunal.

Ndërsa sa i përket ujit të mbledhur si pasojë e vërshimeve, drejtori thotë se do ta njofton kompaninë për ta rregulluar.

“E qaty uji që është mbledh, aty mundem javën tjetër me i thirrë kompaninë me ardhë me bo aty mbushjen me zhavorr ku lidhet rruga ‘Lahë Nimani’ dhe ‘Elevia Qelebia’ për ta trajtuar edhe një herë”- ka thënë Tmava.

Ndryshe, KALLXO.com pati raportuar në shtator të këtij viti për punimet afër shkollës në këtë lagje të cilat kanë paraqit rrezik për nxënësit.

Prindërit ankoheshin që këto punime nuk kanë përfunduar gjatë kohës së verës.

https://kallxo.com/lajm/punimet-afer-shkolles-ne-mitrovice-rrezik-per-nxenesit-foto/