Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kur do të bëhet Vushtrria me Stacion të Autobusëve?

Në Debat Pernime për balotazhin e Vushtrrisë është riaktualizuar tema e mungesës së Stacionit të Autobusëve në këtë komunë.

Ndërtimi i stacionit është dërguar në Prokurori, përderisa ende kjo temë nuk ka epilog.

Kandidatët për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, kanë replikuar për këtë çështje, teksa nuk kanë dhënë ndonjë zgjidhje konkrete se kur do të ketë stacion të autobusëve për qytetarët.

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë versionin e tij për mungesën e stacionit.

“Ne e kemi ndarë për dy vite me radhë buxhetin për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve. Insistimi im është që stacioni të ndërtohet në pronën e ish-hotel “Vicianiumit”, do të bëjmë çdo gjë që ajo pronë të kthehet dhe aty të ndërtohet stacioni”, tha Tahiri në Debat Pernime.

Nëse kjo nuk bëhet, ai ka shtuar se në hartën zonale kanë paraparë ndërtimin e Stacionit të madh të Autobusëve te stacioni i trenit. Sipas Tahirit kjo përfundon brenda mandatit të ardhshëm, nëse bëhet kryetar.

Kandidati i LDK-së e ka akuzuar PDK-në se kur ka qeverisur me Vushtrrinë, “përveç që është humbë toka, në proces gjyqësore, është lejuar rrënimi i ndërtesës së Stacionit të Autobusëve”.

Kurse, kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se prona për stacionit ka qenë private dhe e patjetërsueshme.

Ai ka shtuar se kundërkandidati i tij nuk e ka përmbushur premtimin për këtë stacion.

Ndërkaq, Tahiri tha se lëndën për Stacionin e Autobusëve e ka dërguar në Prokurori dhe asnjëherë nuk është zgjidhur deri më tani.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Vushtrri: Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Ferit Idrizi ka marrë 34.8% të votave kurse Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 33.8% të votave.