Vërshimet në fshatrat e komunës së Vushtrrisë (5 mars 2018), Foto: Komuna e Vushtrrisë

Vushtrria ende në gjendje të jashtëzakonshme pas vërshimeve

Vërshimet e fundit që filluan gjatë vikendit të fundit në Kosovës kanë prekur disa qytete, me ç’rast detyruan disa komuna që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

Një nga këto vende të prekura është edhe qyteti i Vushtrrisë, e cila që nga e diela kur filluan këto vërshime e deri më tani ende po përballet me sfidat që rodhën si pasojë e vërshimeve.

Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është krijuar edhe Shtabi Emergjent me qëllim të menaxhimit të situatës.

Idrizi tregoi se më të pasur nën kontroll këtë situatë dhe sapo të kalohet gjendja e jashtëzakonshme do e krijojnë edhe komisionin për vlerësimin e dëmeve.

I pari i Vushtrrisë bëri me dije që pasur parasysh gjendjen në të cilën është ky qytet, ende nuk dihet as kostoja e përafërt e dëmeve të shkaktuara.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë shifër të saktë se sa do të jetë kostoja për t’i mbuluar shpenzimet që do të vijnë si pasojë e vërshimeve, kryetari Idrizi tha se komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Ai tha se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës me qëllim të kompensimit të dëmeve me kosto të lartë.

“Deri me tani nuk e dimë as koston e përafërt të dëmeve, por gjithsesi do të kërkojmë ndihmë nga Qeveria, pasi Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për t’i kompensuar dëmet me kosto të larta” – ka thënë Idrizi për KALLXO.com.

Vërshimet prekën edhe qytete të tjera të Kosovës, siç janë Peja, Istogu, Skenderaj, Mitrovicë e të tjera.

Reshjet e dendura të shiut bënë që edhe uji i pijshëm të turbullohet në disa zona të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje njoftoi se në mostrat e mbledhura në të gjithë vendin, uji i sistemeve të goditura nga shirat dhe përmbytjet ka ende vlerë të shtuar të turbullirës në ujin e pijshëm.

Sipas IKShPk-së, nga mostrat laboratorike mikrobiologjike, disa nga to rezultojnë me baktere koliforme duke bërë që uji nga këto sisteme të mos i plotësoj standardet e kërkuara të ujit të pijshëm.

Nga ana e Institutit u rekomandua që konsumatorët para përdorimit të ujit, ta vlojnë atë.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dje njoftoi që edhe dita e sotme do të vazhdoj të ketë reshje të shiut, duke thënë se ato me intensitet dhe në sasi më të larta do të jenë në pjesën perëndimore të vendit.