Kuçi u premtoi punëtorëve të 'Trepçës' ndihmë financiare

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi u ka premtuar punëtorëve dhe menaxhmentit të ndërmarrjes ‘Trepça’ që nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike do t’u ndahet një shumë e mjeteve financiare dhe do të kërkoj ndihmë shtesë në mbledhje të Qeverisë.

“Mirëpo, kërkesa juaj është më e madhe dhe për këtë unë në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës do ta paraqes këtë shqetësim dhe do të kërkoj ndihmë për juve për të kaluar këtë situatë”, ka thënë ministri Kuçi në takim me Këshillin Grevist, Sindikatën dhe Menaxhmentin e Trepçës.

Ministrit Kuçi i janë paraqitur kërkesat e Këshillit Grevist, të cilët kërkuan ndihmë financiare që të kalojnë këtë gjendje.

Ai ka thënë se ju garanton se kanë një shumë të mjeteve në buxhetin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, të cilën mund ta ekzekutojnë menjëherë.

Minatorët e Ndërmarrjes Publike “Trepça” në Stan Tërg kanë hyrë në grevë të përgjithshme që nga ndërrimi i dytë i së martës.

KALLXO.com kishte mësuar se bllokimi i punës nga minatorët është për vonesat e pagave ndërsa, për grevën është njoftuar edhe Qeveria e Kosovës.

Ndërmarrjes ‘Trepça’ i janë bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për shkak të borxheve që i ka ndaj operatorëve ekonomikë.