Minatorët e Trepçës hyjnë në grevë, shkaku i pagave që nuk i kanë marrë

Minatorët e Ndërmarrjes Publike “Trepça” në Stan Tërg kanë hy në grevë të përgjithshme që nga ndërrimi i dytë i së martes.

KALLXO.com mëson se bllokimi i punës nga minatorët është për vonesat e pagave ndërsa, për grevën është njoftuar edhe Qeveria e Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe u.d. kryeshefi ekzekutiv, Hysen Vrajolli.

“Po, është e vërtetë. Unë për momentin jam në Stan Tërg. Për shkak të pagave, minatorët janë në grevë. Nga dje, nga ndërrimi i dytë. E kemi lajmëruar edhe Qeverinë”, tha ai.

“Dje nuk ka punuar ndërrimi i dytë, as sot i treti, po flasim për një grevë të përgjithshme”, deklaroi Vrajolli.

Ditë më parë, Ndërmarrjes publike ‘Trepça’ i janë bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për shkak të borxheve të kësaj ndërmarrjeje ndaj operatorëve ekonomikë.

Trepçës i bllokohen llogaritë, shkak borxhet

www.kallxo.com