Trepçës i bllokohen llogaritë, shkak borxhet

Ndërmarrjes publike ‘Trepça’ i janë bllokuar llogaritë nga përmbaruesit për shkak të borxheve të kësaj ndërmarrjeje ndaj operatorëve ekonomikë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryeshefi i Trepçës, Hysen Vrajolli.

“Po i kanë blloku valla, për arsye të borxheve ndaj operatorëve ekonomikë. Kjo ka ndodhur të premten e kaluar. E kemi njoftu ministrin Kuçi edhe përpara që kanë me u bllokue”, ka thënë Vrajolli përmes telefonit.

Ai ka thënë se është takuar me zëvendësministra për këtë problem, por sipas tij nuk kanë marrë përkrahje.

“Kjo nuk është hera e parë që na bllokohen, ato bllokohen vazhdimisht, por pastaj shesim diçka e zhbllokohen. Kemi marrë premtime prej Qeverisë, por pare jo. Kemi pasë takime me zëvendësministra, zëvendëskryeministra, por kurrgjë tjetër”, ka thënë Vrajolli.

Sipas tij, shuma e borxhit për çka janë bllokuar llogaritë është rreth 7-8 mijë euro.