Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i PDK-së:Kushtetuta është simbol i unitetit, do duhej të mbrohej nga vetë qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e Kushtetutës.

Në një postim në Facebook, Krasniqi shkroi se Kushtetuta është simbol i unitetit, të cilën sipas tij, në tri vitet e fundit është dashur të mbrohet më shumë nga vetë Qeveria.

“Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër të jetës, të respektojmë dhe mbrojmë me çdo kusht themelet e të drejtave dhe lirive tona. Kushtetuta, më shumë se fjalë në letër, është simbol i unitetit, drejtësisë dhe fuqisë së demokracisë. Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj”- ka shkruar Krasniqi.

“Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm”- shtoi ai.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06.2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.