Kryesuesi i Këshillit Prokurorial takohet me shefin e ri të EULEX-it

Jetish Maloku, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, sot është takuar me Giovanni Barbano, shefin e ri të EULEX-it në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Maloku ka falënderuar Barbanon për vizitën në KPK dhe e ka përgëzuar për mandatin e tij, siç thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.

Sipas kësaj komunikate Maloku i ka folur për përkushtimin e sistemit prokurorial për të bashkëpunuar me këtë mision për të garantuar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Kështu shefi i EULEX – it e ka falënderuar Malokun për pritjen dhe ka shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmë në sistemin prokurorial dhe për angazhimin e përbashkët për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Me këtë rast, shefi i EULEX-it, shprehu falënderimin e tij për pritjen e bërë dhe gatishmërinë e misionit që udhëheq për të ofruar edhe më tutje mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për sistemin prokurorial, në mënyrë që të ketë angazhim të përbashkët për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më tutje, në takim ishte diskutuar rreth sistemit prokurorial i cili nuk duhet të qëndroj i pacenuar nga ndërhyrjet politike apo ndërhyrjet e tjera, jashtë apo brenda sistemit.

“Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, është diskutuar që sistemi prokurorial i Kosovës duhet të qëndrojë i pacenuar ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje politike dhe ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër qoftë brenda apo jashtë sistemit prokurorial, në mënyrë që të realizojë si duhet misionin e tij të pavarur, të paanshëm dhe transparent në të gjitha angazhimet e tij dhe në përputhje me mandatin ligjor dhe kushtetues”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim të dy palët u pajtuan që të ketë angazhim të shtuar në tejkalimin e sfidave për të realizuar objektivat në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Në kuadër të këtij takimi, për shkak të rëndësisë së bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar, të dyja palët u pajtuan që të ecet më tutje në rrugën përpara dhe të ketë angazhim të shtuar për tejkalimin e sfidave për realizmin  e misioneve të përcaktuara për rritjen e objektivave që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.