Selia e EULEX-it

EULEX-i e zhvendos selinë e tij në Prishtinë

Misioni i Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka njoftuar se sot ka përfunduar zhvendosja e selisë së tyre, në Zonën Industriale në Prishtinë.

Sipas njoftimit, selia e re e EULEX-it do të vendoset në katin e pestë të ndërtesës së “Capital Gate”, ngjitur me kompleksin ekzistues të EULEX-it për operacione dhe mbështetje, ku ndodhen elementet kryesore logjistike dhe operacionale të misionit.

“Kjo zhvendosje po i forcon sinergjitë ekzistuese duke sjellë kështu përfitime të dukshme operacionale, logjistike dhe financiare. Për më tepër, ajo do të kontribuojë në zvogëlimin e gjurmës mjedisore të EULEX-it, pasi 60 për qind e nevojave totale të energjisë së ndërtesës së Capital Gate plotësohen nga gjenerimi prej paneleve diellore” – thuhet në njoftim.

Ndërsa numrat e telefonit dhe adresat e postës elektronike të EULEX-it mbeten të pandryshuara.

Ndërtesa ku ka qenë i vendosur deri tani selia e EULEX-it, e njohur si Farmed, do t’i dorëzohet pronarit të vet.