Kriza Rusi-Ukrainë: Cilat janë zhvillimet e fundit atje

Nga një takim i thirrur me nxitim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në kryeqytetet anembanë botës, liderët botërorë e kanë dënuar njohjen e presidentit rus Vladimir Putin të dy rajoneve pro-ruse në Ukrainën lindore si të pavarura dhe urdhrin e tij për të dërguar trupa atje.

Ata gjithashtu paralajmëruan për pasojat globale nga kriza mbi Ukrainën, e cila ishte e dukshme të martën pasi çmimet e naftës u rritën, tregjet e aksioneve ranë dhe Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj bankave ruse.

Më poshtë po japim një vështrim në gjërat kryesore që duhen ditur në lidhje me konfliktin mbi Ukrainën dhe krizën e sigurisë në Evropën Lindore.

A E KA PUSHTUAR RUSIA UKRAINËN?

Shtëpia e Bardhë po i quan dislokimet e trupave ruse në Ukrainën lindore “një pushtim” pasi fillimisht hezitoi ta përdorte këtë term. Në mbarë botën, udhëheqësit e dënuan Putinin dhe u përgatitën ta godasin administratën e tij me sanksione.

“Ne mendojmë se ky është, po, fillimi i një pushtimi, pushtimi më i fundit i Rusisë në Ukrainë,” tha Jon Finer, zëvendës këshilltar kryesor për sigurinë kombëtare. Ai tha se “më i fundit” ishte e rëndësishme. “Një pushtim është një pushtim dhe kjo është ajo që po ndodh”.

Administrata Biden rezistoi fillimisht duke e quajtur vendosjen e trupave një pushtim sepse Shtëpia e Bardhë donte të shihte se çfarë do të bënte në të vërtetë Rusia, por kjo ndryshoi pasi vlerësoi lëvizjet e trupave ruse, tha një zyrtar që foli në kushte anonimiteti për të diskutuar diskutimet e brendshme.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, vunë në dukje se nuk është pushtimi i parë i Rusisë në Ukrainë. Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe më parë ka operuar në Ukrainën lindore.

“Rusia tashmë e ka pushtuar Ukrainën. Ata e bënë atë në 2014, pushtuan ilegalisht Krimenë dhe Donbasin. Ky është një pushtim i mëtejshëm i territorit të tyre sovran. Askush nuk e njeh legjitimitetin e pushtimit dhe aneksimit të Krimesë. As kinezët”, tha Wallace.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një urdhër ekzekutiv të hënën për t’i ndaluar investimet dhe tregtinë amerikane në rajonet separatiste dhe Britania vendosi sanksione të martën ndaj bankave ruse. Masat shtesë – sanksionet e mundshme – do të shpalleshin më vonë të martën nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

ÇFARË PO NDODH NË TERRITORIN E UKRAINËS LINDORE?

Kolona me automjete të blinduara janë parë nëpër territoret e kontrolluara nga separatistët e Ukrainës të hënën vonë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ata ishin rusë, por shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të martën se “ne pamë mbrëmë se trupat e mëtejshme ruse u zhvendosën në Donbas në pjesë të rajoneve Donetsk dhe Lugansk”.

Një dekret me fjalë të paqarta i nënshkruar nga Putini të hënën vonë dha urdhër për trupat në territoret separatiste si një përpjekje për ta “ruajtur paqen”.

Të martën, ligjvënësit rusë i lejuan Putinit ta përdorë forcën ushtarake jashtë vendit – një veprim që mund të parashikojë një sulm më të gjerë në Ukrainë pasi SHBA-të thanë se një pushtim ishte tashmë duke u zhvilluar atje.

Zyrtarët rusë nuk kanë pranuar ende ndonjë dislokim trupash, por Vladislav Brig, anëtar i këshillit lokal separatist në Donetsk, u tha gazetarëve se trupat ruse tashmë kishin hyrë, duke zënë pozicione në veri dhe perëndim të rajonit.

Kryeministri britanik Boris Johnson u tha ligjvënësve britanikë se tanket ruse ndodheshin tashmë në Ukrainën lindore.

“Tanket ruse dhe transportuesit e personelit të blinduar” janë parë në rajonet lindore të Ukrainës të njohura nga Putin, tha Johnson, duke shtuar se kjo përbën “një pushtim të rinovuar” të Ukrainës.

CILA ËSHTË PËRGJIGJA E UKRAINËS?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u përpoq të krijonte qetësi, përmes një fjalimi gjatë natës: “Ne nuk kemi frikë nga askush dhe asgjë”.

Protestuesit, disa të veshur me flamuj ukrainas, u mblodhën jashtë ambasadës ruse në Kiev. Njëri mbante një tabelë ku shkruhej: “Ne zgjedhim Evropën dhe jo Rusinë”.

ÇFARË THOTË NATO PËR LËVIZJET RUSE?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se Rusia po ndërmerr veprime ushtarake kundër Ukrainës dhe e dënoi vendimin e Moskës për t’i njohur zonat separatiste të Ukrainës juglindore si të pavarura.

“Moska tani ka kaluar nga përpjekjet e fshehta për ta destabilizuar Ukrainën në veprime të hapura ushtarake”, u tha Stoltenberg gazetarëve të martën.

I pyetur nëse veprimet e Rusisë përbëjnë një pushtim, ai tha: “Rusia tashmë ka pushtuar Ukrainën, ata pushtuan Ukrainën në vitin 2014”, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë. Ai shtoi se “ajo që ne shohim tani është se një vend që tashmë është pushtuar po vuan pushtimin e mëtejshëm”.

Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s kanë më shumë se 100 avionë reaktivë në gatishmëri të lartë dhe më shumë se 120 anije luftarake gati në det nga veriu i lartë deri në Detin Mesdhe.

Ai tha se forca e reagimit të NATO-s mbetet në gatishmëri të lartë, por ende nuk është duke u dislokuar, megjithëse disa aleatë po lëvizin trupa, anije dhe aeroplanë në shtetet baltike dhe pranë Detit të Zi për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s.

GJERMANIA MERR VENDIM PËR TA NDALUAR ÇERTIFIKIMIN E TUBACIONIT TË GAZIT

Kancelari Olaf Scholz tha se Gjermania ka ndërmarrë hapa për ta ndaluar procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia, pasi ai i kritikoi veprimet e Putinit ndaj Ukrainës si një “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar”.

Vendimi është një lëvizje domethënëse për qeverinë gjermane, e cila kishte rezistuar prej kohësh për ta hequr prizën nga projekti, pavarësisht pas presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vendeve evropiane për ta bërë këtë.

Scholz u tha gazetarëve në Berlin se ishte e nevojshme t’i “dërgohej një sinjal i qartë Moskës se veprime të tilla nuk do të mbeten pa pasoja”. Ai tha se tani i takon komunitetit ndërkombëtar të reagojë ndaj këtij veprimi të njëanshëm, të pakuptueshëm dhe të pajustifikuar të presidentit rus.

Uashingtoni ka argumentuar për vite me radhë se ndërtimi i një tjetër tubacioni që sjell gaz natyror nga Rusia në Gjermani, e rrit varësinë e Evropës nga furnizimet ruse të energjisë.

ÇFARË PO BËJNË MBRETËRIA E BASHKUAR DHE BASHKIMI EVROPIAN?

Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se qeveria e tij po vendos sanksione ndaj pesë bankave ruse dhe tre individëve të pasur lidhur me lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Johnson u tha ligjvënësve se sanksionet do ta godasin Bankën Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Bankën e Detit të Zi.

Ai tha se tre oligarkëve rusë me interesa në energji dhe infrastrukturë, Gennady Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg, do t’u ngrihen asetet dhe do t’u ndalohet të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Johnson akuzoi Putinin për “krijimin e preteksit për një ofensivë në shkallë të plotë” kundër Ukrainës dhe tha se “sanksione të mëtejshme të fuqishme” do të pasonin nëse kjo ndodh.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se blloku i BE-së do të vendosë sanksione ndaj disa zyrtarëve rusë dhe bankave që financojnë forcat e armatosura ruse, si pjesë e lëvizjeve për ta kufizuar qasjen e Moskës në kapitalin dhe tregjet financiare të BE-së.

Veprimet, që do të ndërmerren në vazhdën e vendimit të Rusisë për ta njohur pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainën juglindore dhe për të vendosur trupa atje, do të “shënjestronin ata që ishin të përfshirë në vendimin e paligjshëm”, thuhet në një deklaratë të BE-së.

Sanksionet e BE-së do ta kenë si objektiv gjithashtu tregtinë nga dy rajonet e shkëputura.

A KA ENDE HAPËSIRË PËR DIPLOMACI?

Me rreth 150,000 trupa ruse të grumbulluara në trI anët e Ukrainës, SHBA-ja paralajmëroi javën e kaluar se Putini kishte vendosur tashmë ta pushtonte fqinjin e saj. Megjithatë, presidenti Joe Biden dhe Putin ranë dakord paraprakisht për një takim të ndërmjetësuar nga presidenti francez Emmanuel Macron në një përpjekje të fundit për të shmangur luftën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, megjithatë, tha se “është e parakohshme të flasim për plane specifike për një samit”.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ishte në Uashington të martën për t’u takuar me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken.

Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Sergiy Kyslytsya, tha gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të hënën mbrëma: “Ne jemi të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje politiko-diplomatike dhe nuk i nënshtrohemi provokimeve”.

BRITANI KËRKON QË FINALJA E LIGËS SË  KAMPIONËVE TË MOS ZHVILLOHET NË RUSI 

Qeveria britanike po prin në thirrjet drejtuar organit drejtues të futbollit evropian që finalja e futbollit të Ligës së Kampionëve t’i mos zhvillohet në Rusi si masë ndëshkimi ndaj ndërhyrjës së saj në Ukrainë.

“Është absolutisht jetike në këtë moment kritik që presidenti Putin të kuptojë se ajo që ai po bën do të jetë një fatkeqësi për Rusinë”, tha kryeministri britanik, Johnson, në Dhomën e Komunave.

“Ai do të përfundojë me një Rusi që është më e izoluar, një Rusi që ka statusin e personit non grata, nuk ka shanse për të mbajtur turne futbolli në një Rusi që pushton vendet sovrane.”/AP