Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Kriza në Ukrainë: Biden pranon 'në parim' të takohet me Putinin për sa kohë që Rusia nuk e pushton Ukrainën

 

Shtëpia e Bardhë tha se takimi, i ndërmjetësuar nga Emmanuel Macron i Francës, do të vazhdojë vetëm për aq kohë sa Rusia ndalon fillimin e një sulmi mbi Ukrainë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se administrata ka qenë e qartë se “ne jemi të përkushtuar ta ndjekim diplomacinë deri në momentin që fillon një pushtim”.

“Dhe aktualisht, Rusia duket se po i vazhdon përgatitjet për një sulm të plotë në Ukrainë shumë shpejt”, shtoi ajo.

Njoftimi nga SHBA erdhi pasi Macron zhvilloi bisedime të dielën me Bidenin dhe Putinin mbi situatën në Ukrainë.

Presidentët e Francës dhe Rusisë ranë dakord në thirrjen e tyre për t’i “intensifikuar” përpjekjet diplomatike për ta zgjidhur krizën në Ukrainë.

Putin fajësoi ato që ai i quajti “provokimet” e Ukrainës për tensionet e shtuara në Ukrainën lindore, tha Kremlini, dhe gjithashtu kërkoi që Perëndimi t’i marrë “seriozisht” kërkesat e Moskës që ndërlidhen me sigurinë.

Presidenca franceze – e cila më parë e kishte përshkruar bisedën me Putinin si një përpjekje diplomatike të minutës së fundit për ta shmangur një pushtim rus të Ukrainës – tha më pas se të dy liderët kishin rënë dakord për nevojën për një armëpushim, duke shtuar se “çdo ditë pa luftë është një ditë e fituar”.

Macron foli gjithashtu me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, i cili tha në Twitter se po bënte thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” në lindje dhe një rifillim të bisedimeve të sponsorizuara nga OSBE me Rusinë.

Kjo përpjekje diplomatike vjen pasi tensionet kanë arritur pikën e tyre më të lartë në disa vite në Ukrainën lindore, mes një vale dhune gjatë fundjavës që e ka përforcuar frikën në Perëndim se Rusia mund të kërkojë një pretekst për ta pushtuar fqinjin e saj.

Rusia i zgjati stërvitjet ushtarake pranë kufijve veriorë të Ukrainës, në ditën kur ushtritë ruse dhe bjelloruse do të përfundonin stërvitjet e përbashkëta në Bjellorusi. Megjithatë, Minsku zyrtar tha se stërvitjet tani do të vazhdojnë për shkak të tensioneve të rënduara në Ukrainën fqinje.Stërvitjet filluan më 10 shkurt, duke e shtuar frikën perëndimore mbi synimet e Moskës, pavarësisht garancive të Putinit se stërvitjet ishin “thjesht mbrojtëse”. Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa përgjatë kufirit ukrainas, ndonëse mohon se planifikon ta pushtojë Ukrainën./Euronews