Krasniqi pozitës: Prej kujt po ikni?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar në lidhje me mos prezencën e deputetëve të shumicën në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të diskutohej për librat shkollorë.

Krasniqi ka pyetur deputetët e pozitës, edhe pse jo të pranishëm në sallë, se prej kujt po ikin.

“Prej kujt po ikni? Prej Albin Kurtit e teposhtë, prej kujt po ikni, nuk jeni tu ikë prej neve, po ikni prej qytetarëve, prindërve e fëmijëve e mësimdhënësve, turp ju qoftë”- ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se sot do të duhej të diskutonin për reformën në arsim në një situatë normale, dhe se sipas tij “për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë nxënësit pa libra shkollor”.

“Sot do të duhet të diskutonim për reformën në arsim në një situatë normale, për mundësitë e reja që ka kriju kjo qeveri për nxënësit tonë por ne si opozitë e kemi thirrë këtë seancë pikërisht për të folë për diçka që askush se ka paramenduar se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, kjo qeveri i ka lënë nxënësat pa libra shkollor”- tha ai.

Kreu i PDK-së, ka thënë se dy vite qeveri, fillimin e vitit shkollor sipas tij, e kanë filluar me kriza.

“Kjo është e turpshme, por më shumë është edhe shkelje e ligjit, këta njerëz e veçanërisht ministrja ka përgjegjësi penale. E kanë trefishu koston e librave duke u thirrë në kursime, në vend se me ju kushtu 4 milionë, sot po i shpenzojnë 12 milionë. Dy vite qeveri, dy fillimvite shkollor këta i nisin me kriza”- shtoi ai.

Krasniqi ka thënë se sot është dashur që 100 pyetje të bëhen në seancë por që siç u shpreh ai, nuk do të merrnin përgjigje.

“A mundet me na tregu kjo ministre dhe kjo qeveri çfarë plani ka me i kompensu humbjen e madhe të orëve që e kanë shkaktu tashmë. A munden me na tregu qysh kanë me trajtu pabarazinë fundamentale që po e krijojnë për herë të parë, duke i bërë disa nxënës me libra e disa pa? Sa kanë apliku në E-Kosova? 100 pyetje është dashtë me i bo në këtë seancë, unë e di që asnjë përgjigje nuk e kishim marrë nga këta njerëz të pa përgjegjshëm”- tha Krasniqi.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.

Grupi paralamentar i LVV-së ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media nga ora 13:00.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.