Kosova nesër mund të ketë kryeministër të ri, Haradinaj rrugës për ShBA mund të mbetet pa funksion

Nesër në orën 11:00, Kosova mund të ketë kryeministër të ri dhe kabinet krejt tjetër qeveritar.

I nominuari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, do të kërkojë nesër besimin e deputetëve të Kuvendit për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës.

Mirëpo, derisa Kosova mund të bëhet me kryeministër të ri, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara.

Përveç pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit, Haradinaj ka paraparë takime me zyrtarë shtetërorë amerikanë, ani pse gjatë rrugës mund t’i pushojnë të gjitha detyrat zyrtarë që i ka.

Se Haradinaj do të udhëtojë nesër e ka konfirmuar këshilltarja e tij,  Meliza Haradinaj Stublla.

“Kryeministri udhëton nesër për ShBA. Takimet janë të konfirmuara disa javë më parë. Gjithashtu, edhe pjesëmarrja në Lutjet e Mëngjesit”, ka thënë për KALLXO këshilltarja e Haradinajt.

Megjithatë, nuk dihet saktësisht se cila është agjenda e Haradinajt në Amerikë dhe më kë do të takohet.

Të mërkurën, në një konferencë për media, Haradinaj kishte konfirmuar vizitën e tij në ShBA por kishe deklaruar se nuk ka një agjendë definitive.

“Nuk e kam një agjendë definitive që me nxjerr në publik, por është një agjendë bukur e ngjeshur, do të jetë kohë intensive me takime atje, temat ne i kemi të qarta, Kosova dhe Amerika kanë marrëdhënie të interesit të lartë. Ne sigurohemi me i prijë proceseve, me qenë në kohë me temat e zhvillimeve të brendshme, bilaterale, rajonale e globale. Në të gjitha këto shkoj si kryetar Qeverie në detyrë me forcu këtë lidhje”, kishte thënë Haradinaj të mërkurën kur ishte pyetur nga KALLXO se çfarë agjende ka në Amerikë.