Çekani i drejtesise - Ilustrim

Konstituohet Komisioni Parlamentar për vettingun

Të martën është konstituuar Komisioni Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, që ndryshe njihet edhe si Komisioni i Vettingut. Detyrë e këtij Komisioni do të jetë administrimi i gjithë procesit të vettingut në drejtësi.

Kryetari i këtij komisioni, Kujtim Shala, derisa shpalosi hapat qe duhet ndërmarrë theksoi se për planin e punës duhet të presin një draft nga administrata dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ai tha se për këtë proces duhet bashkëpunim me Qeverinë, Presidencën dhe institucionet e drejtësisë.

“Pas adaptimit të teksteve te amendamenteve qe propozojmë ne dhe qe besoj se aty nuk kemi shumë punë se paku 30 deputetë të Kuvendit mund të propozojnë amendamente kushtetuese që i dorëzohen Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit në seancën e radhës e njofton Kuvendin me propozimet dhe kryetari i Kuvendi jo më vone se 7 ditë nga seanca ia dorëzon Gjykatës Kushtetuese ndryshimet kushtetuese të propozuara pas marrjes së vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni për Legjislacion brenda 5 ditëve i miraton dhe i dërgon për seancë propozimet. Amendamentet miratohen me 2/3 përfshirë edhe komunitetet jo shumicë. Ndryshimet e kushtetutës hyjnë në fuqi pas miratimit të Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Adnan Rrustemi nga LVV-ja shprehu gatishmërinë dhe konsensusin për këtë proces me qëllim për t’i dhënë vendit një sistem efikas të drejtësisë.

Nga PDK-ja Blerta Deliu-Kodra tha se kanë kërkuar qe një proces kaq i rëndësishëm t’i kthehet Kuvendit për atë që ka kërkuar Venecia.

Derisa shprehu mbështetjen Deliu-Kodra tha se do të japin kontributin e tyre si parti për punë efikase për këtë proces.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica tha se për procesin e vettingut nuk ka kohë për të humbur, por që krahas punës në komision duhet që politika të kërkojë një formë për të siguruar votën e Listës Serbe qe nevojitet për miratimin me 2/3 të ndryshimeve kushtetuese për procesin e vettingut.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Dimal Basha nuk u pajtua me emërtimin e këtij komisioni.

Në qershor të vitit të kaluar Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se po zhvillohej punëtoria e parë e grupit punues për draftimin e Koncept-dokumentit për zhvillimin e procesit të Vetting-ut në sistemin e drejtësisë.

Sipas MD-së, të pranishëm në këtë punëtori treditore kanë qenë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës, Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Oda e Avokatëve të Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, përfaqësues nga shoqëria civile dhe përfaqësues nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

Komisioni Evropian në raportin e vitit 2021 për Kosovën në fushën e drejtësisë është ndalur edhe të procesi i Vetting-ut, duke dhënë edhe disa rekomandime në këtë drejtim.

Në raport fillimisht procesi i Vettingut është vlerësuar si një masë e fundit, që duhet të vijë në konsideratë me rastin e shterimit të gjitha mjeteve dhe mekanizmave ekzistuese për ruajtjen e integritetin të gjyqtarëve e prokurorëve.

Është kërkuar që të sigurohet ky proces dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane ndërkombëtare e po ashtu me këshillat e Komisionit të Venecias.

Më korrik të këtij viti Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka njoftuar se ka analizuar me kujdes Opinionin e Venecias për Koncept-Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting-un” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

KPK thotë se vlerësimet e dhëna në këtë opinion, spikatin pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./Telegrafi.com