Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Vettingu, përplasen verbalisht Albulena Haxhiu e Abelard Tahiri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deklaratave të ish ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili kritikoi procesin e Vettingut.

Haxhiu ka thënë se koncept-dokumenti për Vettingun mundëson një verifikim të tërësishëm të subjekteve që do të jenë pjesë e tij.

“Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vettingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vettingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të Vettingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre. Dhe kjo ka ardhur, pasi mekanizmat ekzistues që përmend Tahiri, kanë dështuar dhe për këtë mbahet përgjegjës edhe Tahiri”, ka shkruar ajo në postimin në facebook.

Ajo ka thënë se është për keqardhje që ish ministri Tahiri nuk mbahet mend për asnjë punë të mirë në Ministrinë e Drejtësisë.

“Në Ministri të Drejtësisë, çdo ditë identifikojmë të metat e Tahirit, dhe është për keqardhje të jesh Ministër i Drejtësisë dhe të mos mbahesh në mend qoftë edhe për një punë të mirë. Përndryshe ne do të vazhdojmë punën e mirë që kemi nisur drejt materializimit dhe finalizimit të procesit të Vettingut, duke ndjekur rekomandimet e këtij Koncept Dokumenti dhe gjithashtu, duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë ata që e duan shtetin e së drejtës”, ka shtuar ajo.

Ableard Tahiri, deputet dhe ish ministër nga PDK ka kritikuar presidenten, Vjosa Osmani për analizën e paqëndrueshme të gjendjes në sistemin e drejtësisë, dje gjatë konferencës.

Tahiri ka thënë se “tendenca për ta imponuar një proces të Vettingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës, është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore, për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”.

Osmani: Zyrtarët e BE-së mos të kundërshtojnë luftën e institucioneve tona kundër krimit