Rugovasit, kundërshtojnë Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’

Banorët e Rugovës kanë shprehur shumë kundërshtime lidhur me Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘ Bjeshkët e Nemuna’, i propozuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në dëgjimin publik të cilin e ka organizuar Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim, shumë prej pjesëmarrësve aty kanë shprehur kundërshtitë e tyre rreth përmbajtjes së këtij draft-plani të propozuar nga Ministria.

Banorët shprehën shqetësimet e tyre kundrejt drafit për planin hapësinor, sipas tyre me qëllim mbrojtjen e pronave të tyre private dhe ndryshimin e ligjit që e parasheh zonën të shndërrohet në park nacional.

Ndër kërkesat e tyre ishte që ‘Rugova’ të shndërrohet në komunë si dhe parku nacional të mos bëhet, por pronat private të iu përkasin pronarëve.

Flamur Rezbogaj nga Bashkësia Lokale e Rugovës tha se duhet të përjashtohet ndërtimi pa leje në pronat private të Rugovës sepse kjo marrëveshje është nënshkruar prej viti 2014 dhe ratifikuar një vit pas, ndërsa nuk është zbatuar.

“Në këtë rast të përjashtohet ndërtimi pa leje në pronat tona private në Rugovë. Kërkojmë që të hapet pika kufitare në Çakorr, për këtë pikë ka një marrëveshje të nënshkruar nga ish kryeministri Bajram Rexhepi dhe homologu i tij malazez më datën 26 mars 2014, e njëjta është ratifikuar nga ish presidentja Atifete Jahjaga më datën 4 maj 2015, por nuk është funksionalizuar kurrë”, tha ai.

“Kërkojmë që të parashihet në ligj ashtu siç është paraparë në komunat tjera ndërtimi i rrugës kryesore të aksit Pejë-Kuqishtë-Çakorr-Kuqishtë-Bogë, deri në pikën kufitare. Të lejohet ndërtimi i qendrave turistike, të ndalohet me këtë ligj privatizimi dhe koncesionimi i gjitha pronave kontestuese në Rugovë”- theksoi Rezbogaj.

Tutje ai shtoi se duhet të hiqet ideja e vendosjes së laurave.

“Kërkojmë kategorikisht që të hiqet ideja e vendosjes së të çfarëdo lloj laure, rampe që keni cekur brenda draftit. Kërkojmë që të gjitha pronat private pavarësisht pyje apo livadhe të kalojnë në zonën e tretë zhvillimore pa dallim kuote apo lartësie mbidetare, pasi pjesa më e madhe e tyre si prona private të dëshmuara me fletë poseduese shtrihen në lartësi mbidetare deri në dy mijë metra, konkretisht deri në vijën kufitare që ndan Rugovën me Malin e Zi, si fshatrat: Bogë, Shkrel, Dragaj, Haxhaj dhe Pepaj”- tregoi përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale të Rugovës.

Ai theksoi se duhet të ketë organ kompetent që lejon ndërtimin për pronarët e shtëpive.

“Nuk ka logjikë të zgjerohet zona e tretë në disa prona shtetërore dhe të ngushtohet në pronat tona private. Kërkojmë që më këtë ligj të njihet e drejta e legalizimit të gjitha objekteve dhe parcelimeve të ndara e të ndërtuara deri tani në miratimin e planit hapësinor, sepse paraprakisht pronarët e shtëpive, ndërtuesit nuk kanë pasur një organ kompetent që do t’i pajiste me leje ndërtimi, nuk ka ekzistuar kurrë një zyre apo organ i tillë as në Pejë as në Prishtinë”- bëri të ditur ai.

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj tregoi se planet zhvillimore që parashohin t’i realizojnë, refuzohen për shkak se konsiderohen planifikime që prekin Parkun Nacional.

“Kjo është shqetësuese për Deçanin sepse po flasim për 53% të territorit të këtij qyteti i cili është shpallur park nacional, ashtu të paktën trajtohet prej ligjit. Në takimin që e kemi pasur muajin shtator janë bërë disa ndryshime për Deçanin por jo të gjitha. Prokuroria, hetuesit çdo ditë janë në Deçan duke u përballur me qytetarët e Deçanit. Në këtë kuadër as unë si qytetar i atij vendi nuk e pranoj. Kur bëjmë plan zhvillimor kjo të refuzohet sepse konsiderohet se është planifiku plan zhvillimor në park nacional”- deklaroi Ramosaj.

Ruzhdi Shehu kryetari i komunës së Junikut po ashtu është i mendimit që të merren parasysh pronat private dhe të ketë mbikëqyrje më të madhe të kësaj zone.

“64% që i takon Junikut është nën parkun nacional, të merren parasysh pronat private të dy fshatrave Jasiq dhe Gjocaj, si pyjet private që janë 70% gështenja. Sot qytetari nuk mundet me pas qasje pa marr një pëlqim nga rojet e pyllit, parku nacional, roja mbikëqyrja e tyre është shkatërru, çdo ditë ndërtohet me materiale të forta, ka një mbikëqyrje paguhen njerëzit por nuk ka kontroll. Sot në lagjen Pepsh, Shkozë nuk mund të ndërtohen shtëpi sepse është zhavorr dhe gurë”- tha Shehu.

Shemsedin Dreshaj deputet i Kuvendit të Kosovës nga zona e Rugovës kërkoi që plani hapësinor i draftuar të hiqet sepse është i padrejtë për pronarët e pronave private.

“Ky draft projekt nuk është përditësuar ju lus që ta heqim këtë padrejtësi, prona private është gllabëru në park, ndryshojeni këtë ligj të keq diskriminues, prona private të largohet nga parku nacional, kjo i sjell një të mirë vendit dhe kontribut historik. Qëllimi i këtyre parqeve nacionale është të shkatërrohen pronat private”- kërkoi Dreshaj.

“Ky park prek Istogun, Pejën, Deçanin, Junikun dhe Gjakovën me një sipërfaqe prej 63 mijë hektarësh, 52% i takon Gjakovës, prej 52%, 69% është pronë private e juaja. Në Jugosllavi Rugova ka qenë komunë që nga viti 1936, ka qenë komunë edhe gjatë luftës së dytë botërore. 1976 Rugova futet nën administrimin e Pejës. Ju e dini mirë që pronën private tuajën të trashëguar brez pas brezi ju kanë detyru me shndërru në pronë të uzurpuar. U bë park nacional kundër dëshirës tuaj”- tregoi Dreshaj.

Salih Mekaj qytetar i Rugovës pohon se banorët e këtij vendi po dënohen nga gjykatat sepse kanë ndërtuar shtëpi në pronat e tyre.

“Ligji për parkun nacional ka qenë ligj diskriminues dhe pronën private nuk ka pas të drejtë të ndërrojë dhe shfrytëzojë. Për dhjetë vjet nuk ka marrë asnjë qytetar leje për ndërtim. Të gjithë rrezikohen nga procesi gjyqësor që të iu rrënohen shtëpitë e tyre jo pse nuk është pronë e tij por për shkak të heshtjes së pushtetit. Planin hapësinor për dhjetë vjet nuk e keni përgatitur ju nuk keni sjellë ligj në bazë së cilit qytetar nuk të mund të merret leje për ndërtim. Kemi raste të qytetarëve në gjykata që dënohen që kanë ndërtuar në pronat e tyre”- bëri të ditur Mekaj.

Veton Mujaj, një tjetër banor i Rugovës, tregoi se po përballet me organet e drejtësisë për kullën e paraardhësve të tij e cila prej shekujsh është aty.

“Rugova për 23 vjet është dënu, më kanë thirr në prokurori, për kullën që e kanë ndërtuar paraardhësit e mi”- pohoi ai.

Isa Nikçi tha se po përballet me policinë vetëm që ka ndërtuat shtëpi në pronën e tij.

“Kryetarja komisionit nuk na informoi asgjë për planin, dhe shumë pak qytetarët e dinë diskriminimin që bëhet përmes këtij plani. Mua më ndjek policia gjykata që kam ndërtuar shtëpi në pronën time, është lejuar të ndërtohen fabrika dhe restorante të cilat kanë privatizu zonën”- theksoi Nikçi.

Rexhep Elezaj banor i Rugovës paralajmëroi që do të organizojnë protestë javore nëse kërkesat e tyre shpërfillen.

“Është ligji më diskriminues, Rugova është e lënë pas dore e diskriminuar. Hiqni ligjin ose korrigjojeni atë, nuk ka laura aty. Nëse e vendosni laurën një javë ditë do ta bllokojmë Grykën e Rugovës”- paralajmëroi ai.

Agron Nikçi përfaqësues nga Bashkësia Lokale tha se kësaj here shpreson të merren parasysh kërkesat dhe të mos ndodh si zakonisht.

“Jemi munduar që kërkesat tona të adresohen, mirëpo shumë herë nuk kanë has në mirëkuptim, sidomos tek Ministria Ambientit. Për këtë gjendje ku jemi qeveria e Kosovës sot e ka planin në duar dhe ju ka drejtuar Kuvendit të Kosovës  për aprovim. Ne iu kemi drejtuar grupeve parlamentare që t’i drejtojnë të gjitha kërkesat tona që të inkorporohen nën planin hapësinor. Kemi pas vërejtje jemi anashkaluar si banorë, ne si banor të Rugovës vetëm që e kemi kundërshtu parkun nacional nuk jemi marrë parasysh”- potencoi Nikçi.

Deputetja Fitore Pacolli tha se Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë ka prezantuar Planin Hapësinor, mirëpo qytetarët e kundërshtuan atë duke thënë që plani nuk është prezantuar asnjëherë tek ata.

“Ne e kemi marrë planin prej ministrisë dhe kemi pa që plani ka trajtuar në mënyrë të qartë edhe gjendjen aktuale të parkut, mënyrën se si mund të mbrohet parku e ka parë edhe anën e zhvillimit social dhe ekonomik, ministria na ka informuar që ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara ligjore duke përfshi këtu edhe dëgjimin publik me banorët që jetojnë në atë pjesë edhe me palët e interesit”- deklaroi Pacolli.

Dëgjimi publik u mbyll nga kryesuesja komisionit Fitore Pacolli e cila tha që kërkesat e qytetarëve do të shqyrtohen dhe merren parasysh.