Foto: KPK

KPK shpreh qëndrimet e saj për opinionet e Komisionit të Venecias mbi Vettingun

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), njofton se ka analizuar me kujdes Opinionin e Venecias për Koncept-Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting-un” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

KPK thotë se vlerësimet e dhëna në këtë opinion, spikatin pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shmangur praktikat e vendeve të  tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë“, thotë KPK.

Duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Koncept-Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting”, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Konceptdokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe, rrjedhimisht, do të shkaktojë zvarritje të procedurave, të cilat pashmangshëm do t’ia pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi”, thekson KPK.

KPK i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura , të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët për konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit

KPK thotë se nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat sipas tyre mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial nuk do të mbështeten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Këshilli Prokurorial ka thënë se nuk mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo sipas KPK-së mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm.

Më tej, KPK thekson se mund të ndërmerren masa e reforma që do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit.

“KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor”, thekson KPK.

Tutje KPK thotë se propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KPK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të prokurorive, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja.

Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KPK-ja njofton se do të themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë.