Gjykimi ndaj Glauk Konjufca - Foto: Laurant Berisha - Kallxo - 25.10.2023

Konjufca në gjykatë i akuzuar për gazin lotsjellës, Grabovci dëshmitar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka dalë sot para Gjykatës së Prishtinës në cilësinë e të akuzuarit për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

Hera e fundit, kur Konjufca do duhej të paraqitej para Gjykatës ka qenë të premten, më 19 maj, por kjo seancë ishte shtyrë.

Mbrojtja e kryeparlamentarit kishte kërkuar që seanca të shtyhej për një ditë tjetër, me arsyen se Konjufca gjendej jashtë vendit në një udhëtim zyrtar.

Gjithashtu seanca e cila ishte paraparë të mbahej më 13 prill, përsëri e njëjta nuk ishte mbajtur me arsyen se ka angazhime në funksionin që e ushtron.

Sipas aktakuzës të tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.