Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komunat me shumicë serbe me daljen më të madhe në votim deri në orën 11:00

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të daljes në votim, komunat me shumicë serbe kanë numrin më të madh të qytetarëve që kanë dalë për të shfrytëzuar të drejtën e votës deri në orën 11:00.

Ndryshe nga komunat me shumicë serbe, Dragashi është komuna me përqindjen më të vogël të daljes në votim deri në orën 11:00.

Në Komunën e Dragashit kanë votuar 1,347 votues apo 3,53%. Ndërsa në listë janë 38,142 votues të regjistruar.

Një ndër arsyet e daljes kaq të ulët të votuesve në Dragash mund të jetë edhe moti i ftohtë dhe sasia e borës që ka rënë atje pasi Komuna e Dragashit dhe fshatrat e saj shtrihen në një terren kodrinoro-malor dhe sasia e borës ka bllokuar disa nga rrugët atje.

Në Kosovë është duke mbretëruar mot i ftohtë dhe sipas Institutit Hidrometeorologjik temperaturat më të ulëta do të shkojnë deri në -11 gradë celcius.

Më poshtë gjeni përqindjen e daljes në votim në komunat me shumicë serbe:

– Leposaviq 26,92% ose 3,205 votues

– Shtërpcë 10,95% ose 1,338 votues

– Zubin Potok 19,59% ose 1,088 votues

– Zveçan 33,22% ose 2,268 votues

– Ranillug 11,72% ose 433 votues

– Partesh 7,76% ose 353 votues

– Kllokot 8,99% ose 323 votues

Mitrovicë Veriore 26,29% ose 4,618 votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që deri në orën 11:00 në të gjithë Kosovën kanë votuar 8,29% apo 145,763 qytetarë.

Në listën e votuesve janë gjithse 1,794,862.00 votues.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka njoftuar se nuk ka raportime për incidente që e dëmtojnë procesin e votimit.