Dragashi me numrin më të vogël të votuesve deri në orën 11:00

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të daljes në votim, Komuna e Dragashit ka përqindjen më të vogël të votuesve deri në orën 11:00.

Në Komunën e Dragashit kanë votuar 1,347 votues apo 3,53%. Ndërsa në listë janë 38,142 votues të regjistruar.

Një ndër arsyet e daljes kaq të ulët të votuesve në Dragash mund të jetë edhe moti i ftohtë dhe sasia e borës që ka rënë atje pasi Komuna e Dragashit dhe fshatrat e saj shtrihen në një terren kodrinoro-malor  dhe sasia e borës ka bllokuar disa nga rrugët atje.

Në Kosovë është duke mbretëruar mot i ftohtë dhe sipas Institutit Hidrometeorologjik temperaturat më të ulëta do të shkojnë deri në -11 gradë celcius.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që deri në orën 11:00 në të gjithë Kosovën kanë votuar 8,29% apo 145,763 qytetarë.

Në listën e votuesve janë gjithse 1,794,862.00 votues.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka njoftuar se nuk ka raportime për incidente që e dëmtojnë procesin e votimit.

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në të gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vijnë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Të dhënat në lidhje me numrin e qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës mund t’i gjeni KËTU.