Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Pas votimit në veri masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të largohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pas procesit të votimit në katër komunat veriore me shumicë serbe për largimin ose jo të kryetarëve, duhet të largohen masat e padrejta ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktualë dhe mbajtja e zgjedhjeve, ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Europian.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës” – ka thënë Kurti në reagim.

Kurti ka thënë se në këto tri vite, qeveria e tij “ka bërë maskimumin për të luftuar krimin dhe kontrabandën dhe për të forcuar sundimin e ligjit.”

Sipas tij, në aspektin e sigurisë sitata në veri është raportuar e qetë, pa ndonjë incident, por që sipas tij, ka pasur ndërhyrje të shumta të frikësimit e kërcënimeve nga Serbia.

“Procesi i sotëm zgjedhor është dëshmi e ambientit të përmirësuar të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Falënderojmë Komisionin Qendror Zgjedhor dhe të gjitha institucionet e Kosovës për organizmin dhe mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor i cili rrodhi pa incidente” – ka thënë Kurti ndër të tjera.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

KQZ: Nuk është arritur 50% i domosdoshëm, votimi për largimin e kryetarëve ka dështuar