Ilustrim
Komuna e Prishtinës: Punimet në rrugën ‘Agim Ramadani’ përfundojnë më 4 maj
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se punimet në rrugën ‘Agim Ramadani’ janë shtyer edhe për një kohë, për shkak të reshjeve të vazhdueshme gjatë kësaj jave.
Kështu, Komuna njofton se rruga do të jetë e përfunduar më 4 maj 2025.
“Jemi në fazat përfundimtare të rehabilitimit të rrugës “Agim Ramadani”. Për të siguruar cilësi sa më të lartë dhe jetëgjatësi të rrugës, jemi detyruar të shtyjmë përkohësisht punimet për nivelizimin e pusetave dhe shtrimin e asfaltit, për shkak të reshjeve të vazhdueshme gjatë kësaj jave”- thuhet në njoftimin e datës 26.04.2025.
Ndërsa, me përmirësimin e motit, Komuna thotë se punimet do të vazhdojnë menjëherë, gjatë fundjavave dhe ditëve të javës pas orës 19:00.
Përveç punimeve në rrugën ‘Agim Ramadani’, Komuna e Prishtinës, javëve të fundit ka nisur disa ndërhyrje edhe në zona të ndryshme të qytetit.
Si pasojë, javëve të fundit janë shkaktuar kolona të gjata të automjeteve në rrugët kryesore të Kryeqytetit.