Edward Joseph. Foto: OSBE

Komenti i Joseph për 'Ballkanin e Hapur': Beogradi është vendi i fundit në aspektin e besueshmërisë

Profesori amerikan, Edward Joseph, ka komentuar nismën rajonale “Ballkani i hapur”, që do të mbahet sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Joseph, ideja e ish-presidentit amerikan Donald Trump për “Ballkanin e Hapur”, e avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë, Serbisë.

“Ashtu siç i shkon falënderimi Putin-it që i injektoi jetë NATO-s, lavdërimi shkon edhe për Sergey Lavrov, i cili i dha “puthjen e vdekjes” Ballkanit të Hapur. Kjo ide e administratës së Trump avancon agjendën e partnerit strategjik të Rusisë në rajon, Serbisë së Aleksandar Vuçiqit. “Sputnik Serbia”, e cila është media kryesore ruse në Serbi, e ka mbështetur vazhdimisht “Ballkanin e Hapur”. Pse jo?”, ka shkruar Joseph në Twitter.

Ai ka thënë se duke i besuar presidentit serb që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, zyrtarë amerikanë kanë pranuar nocionin se tregtia është e barabartë me besimin duke shtuar se ajo çfarë ka rëndësi sipas Joseph është karakteri i regjimit më të cilin ata tregtojnë.

“Duke i besuar Vuçiqit, i cili dëshiron që të anëtarësohet në BE, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pranuar nocionin se tregtia është e barabartë me besimin. Ajo se çfarë ka rëndësi është karakteri i regjimit me të cilën po tregtoni. Pyesni Ukrainën: deri më 24 shkurt, Rusia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kievit për eksporte dhe importe. Pyesni Japoninë, Korenë Jugore ose Taiwanin nëse tregtia e ka ndërtuar besimin me Kinën”, ka thënë Joseph.

Ai thotë se Serbia është partneri numër një i Malit të Zi sa i përket tregtisë mirëpo thekson se Beogradi është vendi i fundit sa i përket aspektit të besueshmërisë.

“Historia e njëjtë është edhe në Ballkan. Serbia është partneri numër një i tregtisë me Malin e Zi, për importe dhe eksporte. Beogradi është vendi i fundit në aspektin e besueshmërisë. Miratimi i fundit i kryeministrit të Malit të Zi për “Ballkanin e Hapur” ka përkeqësuar ndarjet në vend”, ka potencuar Joseph.

“Çdo politikë në Ballkan e cila përballet me kërcënim të drejtpërdrejtë nga Serbia është skeptike, nëse jo dyshuese ndaj Ballkanit të Hapur”, shton profesori amerikan.

Tutje, Joseph ka thënë se problemet thelbësore ekonomike janë të natyrës politike dhe se shpreson që ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, të nxis alternativa për “Ballkanin e Hapur” që ndërtojnë një treg të përbashkët rajonal mbi vlerat e përbashkëta të BE-së.

Nisma rajonale “Ballkani i hapur”, do të mbahet sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë samit për herë të parë do të marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Pjesë e këtij samiti nuk do të jetë Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.

Me 3 qershor u bë e ditur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Në një letër drejtuar homologut maqedonas, kryeministri Kurti thotë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit që mbulon iniciativa rajonale, i cili u miratua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.

Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, të planifikuar për të mërkurën, më 8 qershor.

Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.