Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatet gra për Asamblenë e Lipjanit tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet gra të cilat po garojnë për të siguruar ulëse në Kuvendin Komunal të Lipjanit kanë treguar prioritetet e tyre.

Kandidatja e PDK-së për asamble, Egzona Bytyqi tha se prioriteti i saj do të jetë shëndetësia.

“Pretendoj t’i shtyjë përpara të gjitha politikat vizionare dhe konkrete që kanë për qëllim fuqizimin e kujdesit parësor shëndetësor. Pretendoj po ashtu ta avancoj në një standard tjetër nivelin e kulturës shëndetësore me promovim, parandalim dhe trajtim të vazhdueshëm për të gjithë pa dallim. Gjithashtu si asamblistë zë i fuqishëm do të jem për diversitetin gjinor”, ka thënë Bytyqi.

Edhe për Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK fokus do të jetë shëndetësia.

Bytyqi Hasani ka thënë se do të punojë që dëshmores së vetme në Lipjan t’i ngritet një lapidar e po ashtu edhe të jepen shtesat për gratë që lindin fëmijë.

“Fokus do të jetë shëndetësia. Por më shumë mbështetje do t’u jap grave. Do të angazhohem shumë që të ndajë një kod buxhetor për të financuar bizneset start- up. Do të punoj që gratë lipjanase që lindin foshnje të kenë një shumë të caktuara. Do të punojë fort që dëshmores së vetme të Lipjanit t’i ngritët një lapidar dhe çerdhja publike të ketë emrin e saj. Po ashtu do të angazhohem shumë që Lipjani të ketë një qendër për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha Bytyqi Hasani

Ndërkaq Hyra Bytyçi nga LDK tha se do të mbështesë gratë e po ashtu do të angazhohet për ndërtimin e sa më shumë parqeve për fëmijët.

“Do të punoj në përkrahjen e gruas në vendimmarrje kryesisht në politikë sidomos kur bëhet buxheti. Pastaj përkrahja e grave që kanë biznes me seminare dhe trajnime të vazhdueshme, me grante e subvencione. Po ashtu do të loboj për më shumë parqe dhe lodra për fëmijë”, ka deklaruar Bytyçi

Ndërsa Safete Amerllahu nga LDK tha se do të punojë më shumë për vendlindjen e saj Shalën në mënyrë që të instalohet ujësjellësi dhe të ndahet uji i pijshëm nga aji i lumit.

“Prioritet i imi do të jetë që kur të planifikohet buxheti të punoj që të ketë laboratorë për kimi dhe biologji në shkolla. Veçmas në lokalitetin tim në Shalë të kompletohet me infrastrukturë, funksionimin e QMF-së për 24 orë, hapjen e çerdhes, dhe instalimin e ujësjellësit pasi uji është i përzier me atë të lumit. Do të punojë edhe për fuqizimin e grave”, ka thënë Amerllahu.

Majlinda Agushi nga AAK tha se do të punojë që të bëhet riorganizimi i QKMF-së në Lipjan.

“Do të punoj për mjekësinë duke ju ofruar qytetarëve qasje më të lehtë dhe më cilësore. Duhet të bëhet riorganizimi sa i përket shërbimeve shëndetësore në QKMF, por hapësira është shumë e vogël”, është shprehur Agushi.

Ndërsa Shahadije Dragaçina nga LVV tha se do të punojë për qytetarët e Janjevës që të kenë ujë dhe rrymë.

“Do të punojë për përmirësimin në shëndetësi dhe jetesë. Në shumë fshatra ende ka mungesë të ujit dhe rrymës, me theks të veçantë do të angazhohem për vendlindjen time në Janjevë pasi ka mbetur në gjendje të rëndë. Do të jem zë i fuqishëm për gratë, rininë e studentëve”, deklaroi Dragaçina.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Lipjanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Lipjanit: Adnan Rrustemi nga LVV; Bashkim Budakova nga AAK; Hyzret Rizani nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Lipjanit: Egzona Bytyqi dhe Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK; Hyra Bytyçi dhe Safete Amerllahu nga LDK; Majlinda Agushi nga AAK dhe Shahadije Dragaqina nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.