KAMA: Rritja e tarifave të energjisë rrezikon industrinë e tekstilit dhe të veshmbathjes në Kosovë
Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjes (KAMA) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe për kalimin e detyrueshëm të konsumatorëve të mëdhenj industrialë në tregun e liberalizuar që nga 1 qershori 2025.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të rëndë në sektorin e tekstilit dhe veshmbathjes – një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në punësim, eksport dhe zhvillim ekonomik lokal në Kosovë. Rritja e menjëhershme e kostove të energjisë, e kombinuar me periudhën shumë të shkurtër të tranzicionit të paraparë për kalimin në tregun e liberalizuar, e vë industrinë në një pozitë të vështirë për t’u përshtatur dhe për të ruajtur kapacitetet ekzistuese të prodhimit dhe punësimit.
Shoqata KAMA bën thirrje për një rishqyrtim të menjëhershëm të vendimit dhe për vendosjen e një dialogu të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të industrisë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që ruan funksionimin e sektorëve strategjikë pa i ekspozuar ata ndaj rrezikut të kolapsit. KAMA thekson se afatet aktuale të parashikuara për këtë ndryshim janë të pamjaftueshme për një përshtatje të qëndrueshme të industrisë dhe kërkon një qasje graduale, të dakorduar dhe të mbështetur.
Ne jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë – përmes analizave të ndikimit, rekomandimeve teknike dhe bashkëpunimit me institucionet – në mënyrë që të garantojmë një kalim të drejtë dhe të përballueshëm për sektorët prodhues.
Industria jonë nuk kërkon trajtim të veçantë, por kërkon kushte të barabarta dhe kohë reale për t’u përshtatur. Nëse nuk veprohet me kujdes dhe bashkëpunim, humbjet do të jenë të pallogaritshme për ekonominë e vendit.