Kallxo.com zbulon planin e PDK-së për transportin e votuesve

Partia Demokratike e Kosovës, gjatë ditës së sotme ka telefonuar dy gazetarë të KALLXO.com, duke mos ditur kënd kanë telefonuar dhe u kanë ofruar transport pa pagesë për të dalë për të votuar.

Në incizimet e KALLXO.com mund të dëgjoni deri sa anëtarë të PDK-së, kanë pyetur gazetarët pasi që kanë marrë përgjigje pozitive për transport se “a e dini kënd me votu?”.

“Po, kemi thirr me ju pyet a keni dalë ende me votu, a keni nevojë për transport diçka?”, ka qenë një grua e cila ka treguar në fillim se janë nga PDK dega në Prishtinë.

Gazetarët e KALLXO.com i janë përgjigjur pozitivisht, përdorimit të transportit të organizuar nga PDK e më pas nga ana tyre kanë ardhur edhe reagime të tjera.

“Ok, këtë numër të telefonit. Ju lajmërojmë edhe njëherë veç mbajeni telefonin afër. A e dini kon me votu?”, është shprehur tutje gruaja që ka telefonuar nga PDK- Dega në Prishtinë.

Një telefonatë tjetër është ajo e një burri i cili ka telefonuar gazetarin e KALLXO.com duke i treguar se e gjithë partia ka organizuar më shumë se 40 vetura vetëm për transport.

“Vëlla unë i kom në dispozicion krejt 6 kerre edhe krejt i kom në terren. Partia poshtë i ka edhe 44 kerre e nuk e di sa është saktë sa është numri i tyre. S’jam përgjegjës për ato kerre”, ka thënë burri në telefon.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kandidatin për deputet në PDK, Abelard Tahiri.

I njëjti nuk ka pranuar se kanë organizuar transport falas.

“Jo, hera e parë që po dëgjoj unë për një çështje të tillë. Nuk jam në dijeni për këtë farë punë… Jo more çfarë, jo jo”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.