Jam rritur në Bosnje, mes frikës dhe urrejtjes ndaj muslimanëve. Tani po i shoh gabimet e Gjermanisë rreth Gazës

Si fëmijë, e kam parë atë që ndodh pas spastrimit etnik. Kjo është arsyeja pse po flas hapur për heshtjen e shtëpisë sime të re ndaj vdekjeve palestineze.

Kur u transferova në Berlin, pata një zakon të ndaloja pranë Stolpersteine (përkujtimoret e “gurëve pengues”) dhe të lexoja për hebrenjtë që u morën nga shtëpitë e tyre dhe u transportuan në kampet e përqendrimit. Ka një ndërtesë në rrugën time për në U-Bahn nga e cila u morën 16 persona. Por ishte guri i Lucie-t që më ftohte deri në palcë. Është një gur i saj i vetëm përkujtimor përpara një ndërtese të madhe. Një Stolperstein i vogël. Gjithçka që dihet për Lucie është se ajo u mor në moshën 61-vjeçare. Kjo më bëri të mendoj për të gjithë njerëzit e tjerë që jetonin në ndërtesë dhe mund ta kenë parë tek ndodhte. Çfarë po bënin? A po e kthenin ata kryet në anën tjetër?

Familja ime vjen nga Kroacia dhe si jo-kroat, ne u larguam nga ky vend gjatë furisë nacionaliste të fillimit të viteve 1990, të cilën e ndjera Dubravka Ugreshiq e përshkroi në veprën e saj si luftë për “ajrin e pastër kroat”. Duke qenë të persekutuar në Kroaci që nga fillimi i viteve 1940 – gjyshi im arriti të largohej i gjallë nga kampi i përqendrimit të Jasenovacit në moshën 11-vjeçare – ne u gjendëm në veri të Bosnjë dhe Hercegovinës. Aty viktima dukej ndryshe. Fqinjët tanë boshnjakë, ndryshimi i vetëm i të cilëve nga ne ishin emrat e tyre myslimanë, tani janë sharë e përbuzur publikisht nga pothuajse çdo media serbe. Njerëzit që jetonin pranë nesh, i dërgonin fëmijët e tyre në të njëjtat shkolla, flisnin të njëjtën gjuhë, tani portretizoheshin si jo-njerëzorë, si xhihadistë që do të na vrisnin ndërkohë që ne flinim, si kafshë që na nxirrnin dhëmbët dhe përdhunonin gratë tona. Të gjitha këto histori i kam dëgjuar në moshën gjashtë vjeçare. Unë dija për fjalën muxhahidin para se ta kisha mësuar alfabetin.

Xhamia lokale e shekullit të 16-të në Banja Luka u shkatërrua. Disa nga shokët e mi të shkollës u larguan brenda natës dhe asgjë nuk u tha për ta ditën tjetër në klasë. Disa ndryshuan emrat e tyre në variante të kristianizuara, por gjithsesi u ngacmuan çdo ditë. Kur isha tetë vjeç, mësova ta bëja dallimin mes nesh dhe atyre. Një mësuese nuk ishte më mësuese, ajo ishte serbe. Një shok klase nuk ishte më shok klase. Ai ishte musliman. Një mjek nuk ishte më mjek. Tani ata ishin kroat.

Pse duhet shkruar për Bosnjën 28 vjet pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit? E vërteta është se nuk ka gjë të tillë si paqe pas një spastrimi etnik. Bosnja është ende thellësisht e përçarë. Njerëzit nuk mund të dakordohen se si ta quajnë gjuhën që flasin. Kriminelët e luftës nderohen nga të gjitha anët. Rrjedhja e trurit në Bosnjë rritet çdo vit. Fëmijët e traumatizuar janë bërë të rritur të traumatizuar, të paaftë për të gjetur punë ose për të pasur një kujdes të denjë shëndetësor.

Shkrova një roman të frymëzuar nga kujtimet e mia nga Banja Luka, i cili u përkthye në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë gjermanishten, gjë që bëri që të më ofrohet një shoqëri kulturore gjermane. Jeta ime për dy vitet e fundit ka kaluar duke udhëtuar nëpër Gjermani për të folur për librin tim dhe për paralizën me të cilën po përballet Bosnja. Kudo, kam takuar dëgjues simpatikë, njerëz të etur për të lexuar tregimet, për ta shpërndarë fjalën, për të ndihmuar. Unë isha vajza e caktuar boshnjake. Europianët e bardhë të rehatshëm merrnin pjesë në ngjarje letrare dhe tundnin kokën me mosbesim ndërkohë që u tregoja për spastrimin etnik. Kurrë më, do të thoshin ata, sa herë që ndonjë përvjetor boshnjak ose ndonjë tjetër shfaqej në burimet e tyre.

Mirëpo, kurrë më është një frazë e brishtë, e pafuqishme. Bota harron, ashtu siç e ka harruar Bosnjën. Kurrët nuk janë konsumuar dhe braktisur; përsëri-ja vazhdon të kthehet në numër më të madh dhe me histori më të errëta.

Rripi i Gazës, tashmë i varfëruar nga okupimi dhe një bllokadë e paligjshme 16-vjeçare, popullsia e të cilit përbëhet nga 47% fëmijë, po bombardohet nga ushtria më e fuqishme në Lindjen e Mesme me ndihmën e aleatëve më të fuqishëm në botë. Më shumë se 4,600 palestinezë figurojnë të vdekur dhe shumë të tjerë përballen me vdekjen në mungesë të një armëpushimi, sepse nuk mund t’i shpëtojnë bombardimeve ose nuk kanë qasje në ujë, ushqim ose energji elektrike. Ushtria izraelite pretendon se ofensiva e saj, e cila tani po rritet është një “luftë kundër terrorit”; Ekspertët e OKB-së thonë se kjo përbën dënim kolektiv.

Këto janë të gjitha fakte. Megjithatë, edhe përmendja e fjalës “Palestinë” në Gjermani rrezikon t’ju akuzojë për antisemitizëm. Çdo përpjekje për të ofruar kontekst dhe për të ndarë fakte mbi sfondin historik të konfliktit shihet si një justifikim i papërpunuar i terrorit të Hamasit.

Jo vetëm që tubimet pro-palestineze janë ndalur ose ndërprerë nga policia, senatori gjerman i arsimit Katharina Günther-Wünsch gjithashtu u ka dërguar një email shkollave duke thënë se “Çdo sjellje demonstrative ose shprehje e mendimit që mund të kuptohet (kursivet janë të miat) si miratim i sulmeve kundër Izraelit ose mbështetje e organizatave terroriste që i kryejnë ato, si Hamasi apo Hezbollahu, përfaqëson një kërcënim për paqen e shkollës në situatën aktuale dhe është i ndaluar”.

Përveç ndalimit të simboleve të ndërlidhura me Hamasin, shkollat tani janë të lira t’i ndalojnë gjithashtu “simbolet, gjestet dhe shprehjet e mendimit që nuk e kanë arritur ende kufirin e përgjegjësisë penale”, që përfshin keffiyeh, flamurin palestinez dhe ngjitësit e distinktivët “Palestina e lirë” (Free Palestine).

Ngulfatja e kundërshtimit ndaj vrasjes së civilëve në Gaza shtrihet edhe tek hebrenjtë. Një grua hebreje izraelite që mbante një pankartë në një shesh të Berlinit duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës, u afrua nga policia gjermane brenda pak sekondash dhe u mor me një furgon policie. Ajo u lirua më vonë. Kushdo që tregon solidaritet me palestinezët dyshohet automatikisht se është një simpatizant i heshtur i Hamasit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve për ‘Minor Detail’ të romancieres palestineze Adania Shibli u anulua nga panairi i librit në Frankfurt. Teatri Gorki i Berlinit e anuloi shfaqjen e dramës “Situata” të autorit austro-izraelit Yael Ronen, e planifikuar për 23 tetor. Redaktori i një antologjie që përmban vepra të 34 poetëve arabë të mërguar tha se ngjarja ishte anuluar nga Haus für Poesie e Berlinit.

Njerëz me qëllime të mira më kanë këshilluar se shprehja e këtij mendimi mund të çojë në largimin e ftesës nga ngjarjet dhe festivalet letrare dhe se karriera ime në Gjermani – burimi i jetesës sime për dy vitet e fundit – mund të ketë përfunduar.

Megjithatë, ndërkohë që artistët dhe shkrimtarët anulohen për antisemitizmin e tyre të supozuar, neo-nazizmi i vërtetë është në rritje, me partinë e ekstremit të djathtë AfD, Alternativa për Gjermaninë, që fiton zgjedhjet lokale dhe politikanët kryesorë që e flasin idenë për të bërë marrëveshje me ta. I njëjti panair i librit që e mbylli ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Shibli u përball me kritika më parë për përfshirjen e një shtëpie botuese të së djathtës, Antaios, në programin e tij, me anëtarë të AfD-së të pranishëm.

Mbështetja e palëkundur zyrtare e Gjermanisë për veprimet e qeverisë izraelite i lë pak hapësirë njerëzimit. Është gjithashtu kundërproduktive, duke i shërbyer përhapjes së frikës, islamofobisë dhe, po, antisemitizmit. Duke qenë se janë rritur nën hijen e fajit kolektiv për krimet e luftës naziste, shumë intelektualë gjermanë duket se e mirëpresin një mundësi për t’i shlyer mëkatet stërgjyshore. Shlyerja, natyrisht, do të bjerë mbi kurrizin e fëmijëve palestinezë.

Ajo duhet të përfshihet në kategorinë “duke deklaruar të dukshmen”, por ende duhet nënvizuar: historikisht, islamofobia ka çuar vetëm në më shumë terrorizëm. Pasi jam rritur në Bosnje, mund t’ju them me siguri absolute se rrethi vicioz nuk ka fund. Gjithmonë ka një trup tjetër të vdekur për t’u armatosur.

Hipokrizia shpëtimtare e bardhë që po e dëshmojmë sot në Gjermani, në planin afatgjatë, do t’u sjellë dobi vetëm gjermanëve të bardhë. Ose je kundër fashizmit në të gjitha format e tij, ose je hipokrit. E dënoni një organizatë terroriste si dhe terrorizmin e kryer nga një qeveri.

Jam e tmerruar nga veprimet e Hamasit dhe ofroj ngushllimet e mia për viktimat e tyre, por nuk kam fjalë për atë që bëjnë ata. Asnjë nga taksat e mia nuk shkon për financimin e Hamasit. Megjithatë, disa nga taksat e mia e financojnë bombardimin e Gazës. Në periudhën midis viteve 2018 dhe 2022, Izraeli importoi armë me vlerë 2.7 miliardë dollarë nga SHBA dhe Gjermania.

Duke jetuar në Gjermani, e shoh si përgjegjësinë time njerëzore t’i bëj thirrje të njëtës për njëanshmërinë e saj, hipokrizinë dhe pranimin e saj në spastrimin etnik të Gazës. Duke ecur pranë gurit të Lucie-t çdo ditë, më kujtohet ajo përgjegjësi. Më kujtohet se çfarë mund të bëjë heshtja dhe për sa kohë mund ta ndjekë një vend dhe një popull. Unë vij nga një vend i heshtur e i lagur në gjak. Nuk e kisha menduar asnjëherë se do ta ndjeja të njëjtën heshtje në Gjermani./The Guardian

Lana Bastašić is the author of the novel “Catch the Rabbit”

 

Përgatiti: Nuhi Shala