Ish ministri i Ekonomisë Shala, tregon a ka pasur ai përgjegjësi për blerjen e rrymës gjatë viteve 2008-2011

Ish ministri i Ekonomisë në vitin 2008-2011, Ahmet Shala është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Ai është pyetur nga deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci nëse gjatë kësaj kohe ka pasur përgjegjësi për blerjen e rrymës.

“Absolutisht jo”- është përgjigjur ish ministri Shala.

Deputeti Bajqinovci ka kërkuar përgjigje nga ish ministri Shala edhe për dy kompani serbe prej të cilave sipas tij, importohej rrymë në atë kohë.

“Rryma kryesisht është importuar nga kompani serbe me pronar serb, a i njihni këta persona”- ka thënë Bajqinovci.

“Edhe për personat edhe kompanitë kam dëgjuar për herë të parë para 5 apo 6 viteve, nuk i kam takuar dhe nuk i njoh”- është përgjigjur ish ministri.

Gjatë intervistimit në këtë komision, Shala është pyetur edhe për projektin e fshatit Hade.

Lidhur me këtë Shala ka thënë se ka pasur neglizhencë.

“Çështje e zhvendosjes së fshatit Hade ka filluar herët. Dhe mendoj ka pasur një neglizhencë. Për aq sa di ka pas mjaftë shqetësime për ngadalësimin e projektit. Për detajet nuk mund të hy sepse nuk më kujtohet raporti. Mendoj qe si qeveri e re kemi dashtë të inkurporojmë një sistem mirë te llogaridhënies”- ka thënë Shala.

Komisioni në rend dite të mbledhjes së sotme ka pasur edhe intervistimin e ish ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Lutfi Zharku.

Zharku ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe mund të vijë në dhjetor për intervistim.