Kryeshefi i KEDS-it intervistohet nga Komisioni hetimor për energji

Kryeshefi Ekzekutiv në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Alpin Dogan, është intervistuar sot nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me vendimmarrjen në sektorin e energjisë për periudhën 2006 – 2022.

Dogan është përgjigjur në pyetjet e parashtruara nga deputetët, anëtarë të këtij Komisioni.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mufail Bajqinovci, e ka pyetur Dogan rreth njehsorëve ‘kohler’ nëse të njëjtit janë larguar nga përdorimi, pasi ishte konstatuar se ata kanë matur në mënyrë të gabuar energjinë elektrike.

“Në vitin 2015 keni kontraktu njehsorë që kanë rezultu me matje gabim. A i keni largu këta njehsorë pas dënimit të gjykatës? Janë 20 mijë njehsorë që nuk janë largu. Ka pas vendim gjyqësor por pyetja ime është a i kanë largu. Sipas informatave që i kom ato nuk janë largu” – tha Bajqinovci.

Dogan tha se kjo ngjarje ka ndodhur para se ai të vijë në KEDS dhe nuk do të përgjigjet specifikisht por që mund të jep detaje në një përgjigje me shkrim.

“Kjo ka qenë para ardhjes sime në KEDS, dhe nuk dua të përgjigjem por mund të jep detaje të përgjithshme”- tha Dogan.

Dogan u pyet edhe për asetet në veri të vendit pas privatizimit që ka ndodhur.

“A mund të na sqaroni se me privatizimin e rrjetit të distribuimit, a janë privatizuar të gjitha asetet edhe ato në veri. Tash sa jeni drejtor a konsideroni që i keni edhe asetet e distribucionit në veri të vendit. Kur është bërë privatizimi juve iu është bërë vetëm për anën jugore dhe jo veriore”- pyeti Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Janë vetëm disa vende, disa parcela. Ne asnjëherë nuk kemi pas qasje. Ne nuk e dimë”- u përgjigj Dogan.

“Ato asete nëse nuk iu janë bartur juve, ku janë?”- vazhdoi deputeti Muja.

Armend Zemaj deputet nga LDK pyeti nëse KEDS ka qenë në dijeni për krizën energjetike në vend vitin e kaluar dhe ka kërkuar të dijë nëse KEDS ka bërë një plan apo nëse ka dërguar ndonjë shkresë në Qeverinë e Kosovës për të paralajmëruar krizën.