Ish-anëtarët e bordit të ZRrE-së intervistohen nga Komisioni Hetimor

Komisioni Hetimor Parlamentar në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 ka intervistuar ish-anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në cilësinë e dëshmitarëve.

Të pranishëm në mbledhje sot ishin, Qemajl Mustafa, Arsim Janova dhe Besim Sejfijaj.

Gjatë mbledhjes janë diskutuar tema të ndryshme për të cilat deputetët pjesëmarrjes kanë parashtruar pyetje.

Halil Thaçi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje ka pyetur ish-anëtarët e bordit të ZRrE-së për një dënim të cilin ia kishin shqiptuar KEDS-it gjatë mandatit të tyre.

Deputeti pyeti se pse gjoba është vetëm 45 mijë euro.

“ Ju keni marrë një vendim për gjobitje të KEDS-it për shkak të ndërprerjeve të shumta të energjisë. Gjoba mu personalisht po më duket qesharake, 45 mijë euro duke pas parasysh dëmet që u ka shkaktuar qytetarëve. A po ju duket juve në rregull?” – pyeti Thaçi.

Besim Sejfijaj tha se dënimi prej 45 mijë euro është i bazuar sipas kornizave ligjore dhe se maksimumi i dënimit ka qenë 50 mijë euro.

“Pamundësia ligjore e jona e ka bërë që të jetë ky dënim. Nuk kemi mundur më shumë se 50 mijë euro t’a shqiptojmë dënimin” – tha Sejfijaj.

“Atëherë pse nuk e keni dënu 50 mijë, po 45 mijë euro” – vazhdoi deputeti Thaçi.

Një pjesë e mbledhjes sot është mbajtur edhe pa kuorum, kjo për shkak të lëvizjeve të deputetëve. Për disa momente, komisioni ka mbetur me vetëm pesë deputete, ndërsa për të mundësuar kuorumin duhet të ishin së paku gjashtë.

Armend Zemaj, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës  tha se nëse dëshmitarët pranojnë ai do të vazhdojë pyetjet pavarësisht kuormit.

“Unë nuk dua të bëhen shkelës i ligjit, po nëse më lejojnë po vazhdoj”- tha Zemaj.

“Mundesh qysh nuk mundesh”- tha kryetari i komisionit, Hajdar Beqa.

Deputeti Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje shtroi pyetje në lidhje me skandalin që KALLXO.com pati zbardhur, skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit, të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitonin nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Muja pyeti se a kanë verifikuar pronësinë e kompanisë dhe cilat kanë qenë kriteret për përfitimin e tarifave nxitëse.

“Unë jam informu prej mjeteve të informimit për këtë”- tha ish-anëtari i bordit, Qemajl Mustafa.

“Nuk është kompetencë e jona që të vërtetonin vërtetësinë e dokumenteve që na sjellin kompanitë”- shtoi ish-anëtari tjetër i bordit, Arsim Janova.

Komisioni Hetimor Parlamentar në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 vendosi që intervistimi i dëshmitarëve të tjerë nga KEK, KEDS dhe KESCO të bëhet nesër.