Komisioni hetimor për energji interviston ish-menaxhmentin e KEK-ut

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike po interviston dëshmitarë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për periudhën 2018-2022.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka kërkuar informatë lidhur me një raport rreth gjetjeve dhe keqperdorimeve në KEK.

“Aty është aludu që ka pas keqpërdorime” – tha Muja.

Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut, Rrezarta Pllana, tha se kanë qenë gjetjet e ministrisë që janë adresuar te bordi. Ajo ka përmendur disa nga keqpërdorimet në pika të shkurta.

“Shpenzime te paplanifikuara dhe pa matura, bonuse që janë ndarë në kundërshtim me vendimin e ministrit, keqmenaxhim, etj. Kemi kërkuar evidencë për këto gjetje”- tha Pllana.

Pllana tha se kur e kanë marrë detyrën, në lidhje me këtë nformatë kanë mbajtur takime me menaxhmentin e atëhershëm.

“Në bazë të raporteve të auditorit të brendshëm dhe të jashtëm janë arritur ato konkludime” – shtoi ajo.

Hajdar Beqa, kryesues i Komisionit dhe deputet i PDK-së, kërkoi të dijë se si kanë arritur ta shkarkojnë menaxhmentin brenda 24 orëve pasi kanë marrë detyrën.

“Ditën e nesërme që keni marrë detyrën i keni shkarkuar” – tha Beqa.

Pllana tha se i kanë pas gjetjet e ministrisë që janë adresuar dhe që nuk kanë pas asnjë mëdyshje për ato shkarkime.

“Shkeljet nuk janë të vogla” – u shpreh ajo.

Pllana tha se ka pas zero menaxhim, përderisa ka përmendur edhe punësimet familjare në KEK.

“Sa i përket familjarëve, nuk ka pas asnjë takim në të cilin nuk ka pas familjarë” – shtoi ajo.

Edhe Luigj Imeri, ish-U.D. kryeshef në KEK, tha se nëse flasin për periudhën 2020 absolutisht mund të gjejnë edhe familjarë të cilët edhe i janë nënshtruar procesit të rekrutimit.

“Procesin si kanë ardhë nuk mund të përgjigjem. Kemi gjet fakte aty, është e vërtetë. Ka qenë vit jashtëzakonisht i vështirë pasi ka qenë viti i pandemisë” – tha Imeri.