Muja: Deklarata e ish-drejtoreshës së KEK-ut për marrjen e banesës, kundërthënëse me gjetjet e Auditorit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në mbledhjen e Komisionit hetimor për energji ka thënë se deklarata e ish-drejtoreshës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Pranvera Dobruna, rreth marrjes së banesës nga KEK-u, është në kundërshtim me gjetjet e raportit të auditimit.

Dobruna kishte thënë dje gjatë intervistimit nga Komisioni se ka marrë banesë nga KEK-u para luftës me hapësirë rreth 112 metra katrorë.

Deputeti Muja pretendon se sipas një raporti të auditimit, Dobruna kishte marrë banesën në vitin 2006 dhe pa vendim të bordit.

“Unë kam bërë kërkesë shtesë për dokumente plotësuese me listën e të gjitha banesave, pronave të uzurpuara të KEK. Ka kundërthënie në mes dëshmisë së Dobrunës dje dhe Auditorit. Sipas një raporti të auditimit, banesa është dhënë më 13 tetor 2006, me hapësirë 136 metra katrorë dhe pa vendim të bordit. Dobruna dje ka thënë se e ka marrë para luftës” – tha Muja.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë Dobrunën dhe është në pritje të përgjigjes.

Komisioni Hetimor, menaxhmenti 2006 – 2008 pyetet se çka ka ndodhur me banesat e KEK-ut