‘Përplasje’ në mes deputetes së VV-së dhe deputetit të LDK-së në Komisionin hetimor për energji

Besim Imeri, ish udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë është bërë “mollë sherri” në mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, gjatë mbledhjes së komisionit hetimor për energji.

Imeri është propozuar nga anëtarët e Komisionit që të ftohet në intervistë nga ky komision hetimor pasi që i njëjti kishte qenë pjesë e nënshkrimit të memorandumit në mes KEK dhe Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e 20 milionë eurove.

Një gjë të tillë e ka kundërshtuar deputetja Statovci, e cila ka kërkuar që për këtë çështje të ri thirret edhe njëherë ministrja e Ekonomisë, të kërkohet raport nga Ministria e Ekonomisë dhe më pas të shihet si mundësi thirrja e Besim Imerit.

“Për dilemat në fjalë po e propozoj që ti kërkohet raport ministrisë për përmbushjen apo respektimin e këtyre rekomandimeve nëse këto arsyetime janë të mjaftueshme do të shohim për hapat tjerë. T’i konsumojmë si mekanizëm këto sqarime. Kjo si njësi bie nën ombrellën e saj”- tha ajo.

Të pakuptimtë e ka quajtur kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj mendimin e Statovcit se Imeri nuk ka nevojë të thirret për intervistim.

“Mua po më duhet tash mendimi i Besim Imerit dhe jo i ministres, se atë e kemi pas këtu ajo nuk ka thënë kurgjo. Kjo njësi e përcjellë vendimmarrjen po më intereson vlerësimi i tij, jo raporti politik i Ministres. Nuk ka të bëjë kjo me ministren, nuk ka kuptim kjo çka po thoni. Jemi komision hetimor. Është çështje krejt ndryshe, Besim Imeri duhet të vij. Ministrja Rizvanolli nuk e ka emrin Besim Imer”- tha ai.

Edhe deputeti i PDK-së, Ableard Tahiri ka thënë se Imeri duhet të thirret në intervistim pasi që është njëri nga tre nënshkruesit e memorandumit mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike e Kosovës.

“Besim Imeri ka qenë drejtor për monitorimin e ndërmarrjeve publike në ME ai e ka nënshkruar një memorandum që janë transferu 20 milionë euro KEK-ut. Vërejtjet e tij kanë qenë në mos transparencën e 20 milionë eurove. Ai ka qenë përgjegjës për kalimin e këtyre mjeteve. Memorandumi në fjalë ka ardh nga ME dhe KEK tek ne dhe tek të dyjat është nënshkrues edhe Besim Imeri”- tha Tahiri

Mes këtyre diskutimeve, deputetja Statovci e ka lëshuar mbledhjen e komisionit pasi deputeti Selmanaj është parë i nervozuar me insistimin e deputetes së LVV-së për të mos e thirr Besim Imerin në intervistim.

“Kontrolloje sjellën ma së pari”- tha Statovci.

“Po e kontrolloj më shumë se që duhet… mos me të pas afër hiç qitu”- është shprehur Selmanaj.