Arkiv

Inspektoriati i Tregut është duke i hetuar arsyet e rrijtes së çmimit të bukës në Gjilan e Pejë

Inspektoriati i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë është duke i hetuar arsyet që çuan deri tek rritja e çmimit të bukës, në komunën e Pejës dhe të Gjilanit.

Gjatë javës së kaluar është raportuar se në këto komuna ka pasur rritje të çmimit nga 50 në 60 centë, për një bukë.

Në lidhje me këtë, zëvendëskryeinspektorja e Tregut, Lebibe Haliti, për KALLXO.com ka thënë se aktualisht janë në fazën e verifikimeve.

“Aktualisht jemi duke i verifikuar çmimet e produkteve të tjera, që shërbejnë për prodhimin e bukës. Kemi pasur inspektime në Pejë në datat 30 qershor dhe 1 korrik, e në Gjilan me 28 qershor. Përveç të dhënave që i kërkojmë direkt nga furrat e bukës për çmimet e furnizimit, jemi duke bashkëpunuar edhe me Doganën”, ka bërë të ditur Hailit.

Ajo tha se në këto dy komuna nuk ka pasur në të gjitha furrat rritje të çmimit të bukës, por vetëm në disa prej tyre, kurse në komunat tjera, sipas inspektorëve komunal, nuk është vërejtur rritja.

Haliti bëri të ditur se inspektime janë duke u bërë edhe në kryeqytet.

“Në Prishtinë jemi në inspektime për peshën e bukës, pra jemi duke i verifikuar se peshën reale të bukës, me atë që proklamohet”, tha Haliti.

Gjatë javës së kaluar, KALLXO.com ka raportuar se ka pasur rritje të çmimit të bukës në komunën e Gjilanit, ku një bukë e bardhë shitej për 60 cent.

Disa furrtarë të qytetit ishin arsyetuar për këtë rritje, duke thënë se ka pasur rritje të disa produkteve.

“E kemi rrit çmimin, për shkak se të gjitha produktet po kushtojnë më shtrenjtë edhe çmimi i miellit është rritë”, kishte thënë njëri nga furrtarët e Gjilanit.

Ndërsa zëvendëskryeinspektorja e Tregut, Haliti, ka bërë të ditur se në momentin që inspektoriati e konstaton se rritja e çmimit ka qenë e pabazë dhe e paarsyetuar, atëherë si inspektoriat e procedojnë landën për në Gjykatën kompetente.

Ngritet në 60 centë çmimi i bukës në Gjilan