Aksion në tri qytete i Inspektoriatit të Tregut
Inspektoriati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka zhvilluar një aksion në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.
MINT njofton se aksioni ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga mashtrimi dhe falsifikimi.
Siç bën të ditur MINT përmes një komunikate për media gjatë inspektimit të sotëm – 22.02.2024, janë evidentuar mallra të ndryshme për të cilat pronarët nuk kanë prezantuar dokumente të prejardhjes, e të cilat janë sekuestruar.
“Sasia e produkteve të konfiskuara deri më tani është mbi 800 copë produkte të ndryshme, si dhe 350 gram metale të çmuara” – thuhet në njoftimin ministrisë.
Po ashtu, sipas MINT-it, janë mbyllur me masë të përkohshme nga inspektorët e tregut tri subjekte ekonomike, pasi që të njëjtat janë konsideruar se nuk i kanë mundësuar inspektorëve të kryejnë punën e tyre zyrtare.
Ministria ka bërë të ditur se aksioni është duke vazhduar ende në regjionin e Prizrenit dhe të Gjakovës.