Ilustrim
Shtrenjtimi i çmimit të bukës dhe kafes: Autoriteti i Konkurrencës del në terren për monitorim
Shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mundësinë e ngritjes së çmimeve të produkteve bazë ka bërë që Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës (AKK) të rrisë aktivitetin dhe të nisë monitorimin e tregut.
“Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut. Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës.” – thuhet në komunikatë.
Monitorimi i tregut ka të bëjë me paralajmërimet për ngritjen e çmimeve të bukës, kafesë dhe produkteve të shportës bazike.
Gjithashtu, AKK bën me dije se ka filluar monitorimi i tregut të bukës dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë Sektor janë të arsyetuara, apo në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencën.
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se janë duke monitoruar edhe Sektorin e Gastronomisë.
“Në të njëjtën kohë Sektori i Gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës – duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga Operatorët e tregut.” – njofton AKK.
Sipas AKK-së, pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij.
Ndryshe Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës është institucion i pavarur, i mandatuar me Ligjin Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, për të garantuar funksionimin e tregut të lirë dhe të ndershëm në Republikën e Kosovës.
Fushëveprimi i Autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet Ndërmarrjeve, keqpërdorimin e pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike në rastet kur ato cenojnë konkurrencën në treg.
Autoriteti nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga Ndërmarrje konkurrente, në kundërshtim me Nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.