Ilustrim

Inspektori i ATK-së akuzohet se përmes djalit i njoftonte pronarët e aparateve se ku do kryheshin inspektime

Skënder Fetaj, Arian Kastrati, Driton Haxhija, Ramadan Latifi, Burim Ismaili, Fisnik Ibishi dhe Ramadan Ibishi, të akuzuar për organizim të lojërave të fatit, janë ballafaqur sot më rrëfimin e dëshmitarit Fidan Tolaj.

Ky dëshmitar para trupit gjykues deklaroi se duke qenë në cilësinë e menaxherit në 3 pika të lojërave të fatit, kishte pasur përgjegjësi të kryente barazime të hyrjeve dhe daljeve që realizonin 3 pikat që ai i kishte nën menaxhim.

Ai deklaroi se ishtë punësuar nga i akuzuari Skënder Fetaj, me të cilin kontaktonte më rrallë, kurse menaxherë i kishte të akuzuarit Driton Haxhija dhe Arian Kastrati.

Ai për trupin gjykues të përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar dhe Valbonë Selimaj e Musë konxheli – anëtarë, shpjegoi edhe se si ftitimin e realizuar e depononte në bankë, në llogari të firmës.

Ai u shpreh se nuk ka njohuri nëse aparatet e lojërave të fatit kanë qenë të lidhura me internet, duke shtuar se kjo ishte çështje e teknikëve.

Kurse rrëfen se objekti kishte qenë nën vëzhgim të kamerave për arsye sigurie.

Lidhur me konfiskimin e aparateve të lojërave të fatit, në kontrollën e fundit kur i ishte bërë lokalit, ai tha se nuk i kujtohet nëse ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai shpjegoi se si gjithë aparatet i kishin pasur numrat serik dhe numrat rendorë përmes të cilëve i identifikonin.

Pas dëshmisë të Tolajt, trupi gjykues mori aktvendim që dëshmia e dëshmitarit Robert Gojani të koniderohet e lexuar, pas propozimit të avokatit Granit Vokshi me pajtimin e avokatëve tjerë mbrojtës të të akuzuarëve dhe pokurorit të çështjes Burim Çerkini.

Skënder Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija, akuzohen se që nga shkurti i 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.

Skënder Fetaj i akuzuar, Seanca 21.09.2023

Me këtë ata akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253,680.00 euro.

Skënder Fetaj edhe pse kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menaxhimin e së cilës vepronin edhe Arian Kastrati e Driton Haxhija, sipas Prokurorisë me qëllim kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Aktakuza thotë se të akuzuarit duke siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të ruletëve dhe të aparateve të automateve i kanë vendosur në pika të ndryshme ku edhe kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës në cilësinë e inspektorit të lartë në ATK, ia ka përcjellë informatat zyrtare se kur do të kryhen kontrollet nga inspektorët e ATK-së, birit të tij, Fisnik Ibishit.

Kështu sipas Prokurorisë i akuzuari, Fisnik Ibishi i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve. Ai këtë e bënte duke përdorur fjalët – “jam në Qytetin e Gjakovës, jam në Qytetin e Gjilanit, etj. A ke kohë për kafe?”. Kështu sipas Prokurorisë i akuzuari i ka njoftuar se në cilat qytete ka dalë kontrolla.

Ndërsa Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Driton Haxhijën dhe Burim Ismailin Prokuroria i akuzon se në fillim të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2016 në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me ligjin për lojëra të fatit ashtu që në njësitë e bastores sportive “Planet Win 365”, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontroll si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Të pandehurit po ashtu akuzohen se kanë zhvilluar aktivitete në bastoret sportive në pika të pa licensuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Me rastin e kontrollit të këtij biznesi janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të pa licencuara ndërsa aktakuza thotë se me këtë rast, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej 93,400.00 euro.

Të pandehurit Ramadan Latifi, sipas aktakuzës, në shtëpinë e tij në Gjilan pas kontrollit nga ana e Policisë i janë gjetur një revole e markës “Herma Werk”, një armë gjuetie e markës “Winchester” dhe 435 copë fishekë të armës së gjuetisë dhe revoles.

Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdojë më 25 shtator, ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve të radhës.