Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

I kërkuari nën dyshimet për plagosjen në Gjakovë, zyrtar në Drejtorinë e Emergjencave

Shkelzen Ahmeti i cili që nga data 10.03.2024 është duke u kërkuar nga organet e rendit nën dyshimin se ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë si dhe armëmbajtjes pa leje. 

I dyshuari, siç mëson KALLXO.com është zyrtar në Drejtorinë e Emergjencave në Komunën e Gjakovës. 

Më herët, Ahmeti kishte pasur pozitë tjetër si zyrtar në Qendrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë. 

Gjatë kohës sa ishte zyrtar në këtë institucion, Ahmeti kishte një rast për të cilin ishte akuzuar, ndërsa në fundmi Gjykata e Apelit e ka liruar edhe nga akuza e fundit e cila rëndonte ndaj të njëjtit. 

Gjykata e Apelit ka konfirmuar për KALLXO.com, se Shkelzen Ahmeti është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. 

Ahmeti tash e pesë ditë nuk është shfaqur në zyrën e tij në Drejtorinë e Emergjencave në Gjakovë. Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com edhe drejtori i kësaj drejtorie, Haxhi Sejdiu. 

I kontaktuar dy herë përmes telefonit gjatë këtyre pesë ditëve,Haxhiu konfirmoi se zyrtari i tij është në arrati dhe nuk është paraqitur në punë, ndërsa ka shtuar se kanë nisur edhe procedurat për të shqyrtuar largimin e tij nga puna nëse nuk arrin që t’i arsyetojë mungesat e tij në punë. 

“Të martën e të mërkurën nuk është pa në punë. Ka shërby sepse e kemi edhe shërbimin e 112 pra ka dalë me shërby në dhomën e 112, d.m.th në thirrje që rrinë 24 orë në shërbim është bartë me punë ka qenë i angazhuar këtu. Unë nuk kam pasur ndonjë raportim në lidhje me sjelljet e tij në punë gjatë kësaj kohe sa jam këtu”- tha Sejdiu në një bisedë telefonike me KALLXO.com më 12.03.2024.

Një mosmarrëveshje brenda një lokali që ndodhi më 10.03.2024 përfundoi me plagosjen e tre personave, të cilat u shkaktuan nga një armë zjarri. 

Të plagosurit sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetë. 

Që nga ajo ditë organet e rendit janë vënë pas Shkelzen Ahmetit, i cili është identifikuar si person i dyshuar për veprën penale vrasje në tentativë. 

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktojë përmes telefonit edhe me të kërkuarin tashmë nga Policia e Kosovës por që komunikimi me të njëjtin ka qenë i pamundur. 

Lidhur me plagosjen në Gjakovë, KALLXO.com ka raportuar edhe për versionin e ngjarjes së avokates së dy personave që dyshohet se janë plagosur.

Avokatja Edona Sina në emër të dy vëllezërve, D.S. dhe J.S., ka thënë se vëllezërit janë plagosur në vendin e tyre të punës, nga i dyshuari Sh.A., i cili tha se ka shkrepur gjashtë herë në drejtim të të dëmtuarve.

“I ka shkaktuar tri plagë D.S. dhe tri plagë J.S.. Po ashtu, nga shkrepja e armës ka pësuar lëndim edhe një klient tjetër i lokalit” – tha mes tjerash avokatja.

Dosjet penale

Shkelzen Ahmeti nuk e ka këtë rast të parë që përballet me drejtësinë, ndonëse për këtë ngjarjen e fundit ai vazhdon të jetë në arrati dhe i pakapshëm për Policinë e Kosovës. 

I njëjti, ka të regjistruara në dosjet policore edhe raste të tjera që kanë të bëjnë me deklarim të rrejshëm, falsifikim, armëmbajtje pa leje, lëndime të lehta trupore, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, aksidente komunikacioni dhe sulm. 

Këto vepra figurojnë si dosje penale në Policinë e Kosovës, të dhëna që i ka siguruar KALLXO.com.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar të dhëna edhe në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për të konfirmuar se në çfarë faze hetimore janë rastet ndaj të dyshuarit. 

Zyra për Informim e Prokurorisë në Gjakovë ka thënë për KALLXO.com, se për ngjarjen e fundit në një lokal të Gjakovë, Ahmeti po dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje. 

Në anën tjetër, në regjistrin penal të Prokurorisë për Ahmetin në Prokurori figurojnë të regjistruara disa raste në të cilat është ngritur edhe aktakuzë. 

Tri aktakuza aktualisht figurojnë në regjistrin penal të Ahmetit, për lëndim të lehtë trupor, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, falsifikim i dokumentit zyrtar, heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave. 

Në një rast tjetër për lëndim të lehtë trupor, është hedhur poshtë kallëzimi penal, për një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm është arritur një mosmarrëveshje në procedurën e ndërmjetësimit. 

Prokuroria ka njoftuar se për një rast të keqpërdorimit zyrtar në bashkëkryerje dhe falsifikim i dokumentit zyrtar në bashkëkryerje kanë pushuar hetimet, ndërsa për heqjen apo dëmtimin e vulave zyrtare apo shenjave dhe ndërtim pa leje rasti është ende në procedurë.

Ahmeti që tashmë po kërkohet nën dyshimet për plagosjen që ndodhi të dielën 10.03.2024, ishte përballur me drejtësinë për rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar. 

Në fund të muajit janar të vitit 2021, Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Shkëlzen Ahmetit që akuzohej për keqpërdorim dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. 

I njëjti në muajin nëntor të vitit 2020 ishte liruar nga akuza e keqpërdorimit të detyrës, ndërsa vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar i ishte ricilësuar nga gjykata në veprën e legalizimit të përmbajtjes së rreme, për të cilën ishte dënuar me 6 muaj burg. 

Ky dënim i ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 4 mijë eurove. 

Ish-zyrtari i Gjendjes Civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar,nuk e kishte pranuar fajësinë.

KALLXO.com pati raportuar për gjykimin e këtij rasti. 

Sipas aktakuzës, Ahmeti akuzohej se personit të panjohur, ia vërtetonte të dhënat personale të rreme një personi.

Në aktakuzë thuhej se është vepruar në kundërshtim me ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegonte se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në Zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patent-shoferë.

Ahmeti akuzohej edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare – thuhet në aktakuzë. Këto veprime, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Në lidhje me këtë rast ende nuk ka një vendim të prerë, pasi që avokati i Ahmetit, Meshar Selimaj kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit në lidhje me vendimin për dënimin me burg e që iu zëvendësua me 4 mijë euro gjobë. 

Në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com, më 12.03.2024, avokati Selimaj tha se ka më shumë se 6 muaj që nuk është marrë ndonjë vendim nga Gjykata e Apelit. 

“Unë jam i befasuar çka ka ndodhur, por po duket shumë e çuditshme çka ka ndodhur sepse ai punon merret me punët e familjes dhe jam habitur shumë sepse ai është edhe zyrtar, tashmë punon në emergjenca. Rasti ende nuk ka përfundu, ende nuk më ka ardhë vendimi mua si avokat, unë i kam bërë ankesat për krejt bazat edhe për vërtetimin e gjendjes faktike, shkeljen e dispozitave, vërtetimin penal”- tha Selimaj. 

Selimaj për dënimin me gjobë ndaj Ahmetit tha se është bërë në Gjykatën e Apelit më 17.08.2022, ndërsa seanca ishte mbajtur më 21.09.2022, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë vendim. 

Për këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar edhe një përgjigje nga ana e Gjykatës së Apelit. 

Në përgjigjen e Gjykatës së Apelit me datë 15.03.2024, thuhet se është marrë vendim që Ahmeti të lirohet nga akuza për keqpërodrim të detyrës zyrtare. 

Në lidhje me rastin e fundit, atë të plagosjes e që Shkelzen Ahmeti dyshohet se është dorasi, avokati Selimaj tha se deri më tani nuk ka pasur kërkesë për përfaqësim dhe nuk ka komunikuar diçka me të. 

Për rastet e tjera të cilat ka konfirmuar prokuroria se ka ngritur aktakuzë ndaj Ahmetit, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga ana e Gjykatës Themelore të Gjakovës se në çfarë faze janë. 

Në një përgjigje për KALLXO.com, Lekë Muqaj udhëheqës i Zyrës për Komunikim me publikun në Gjykatën e Gjakovës ka treguar për secilin rast veç e veç, se si ka përfunduar. 

Sipas tij, për rastin lëndimi i lehtë trupor, Ahmeti është dënuar me gjobë në shumën 900 euro. 

Në këtë rast, i pandehuri sipas gjykatës, nuk ka qenë i akuzuar për armëmbajtje pa leje siç ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë vepër ka qenë një i bashkakuzuar tjetër me inicialet N.K. 

Aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm më 14.03.2019. 

Për veprën tjetër lëndim i lehtë trupor i njëjti është dënuar me gjobë 200 euro dhe aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm më 30.03.2021. 

Për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave është dënuar me gjobë në shumën 300 euro. Aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm me datë 05.01.2024

Për veprën keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar  është dënuar me gjobë në shumën 4 mijë euro, ndërsa për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, është liruar nga akuza. 

Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, ashtu edhe siç është përmendur edhe më lart për këtë rast, i njëjti është liruar tërësisht nga akuza.