Ilustrim, Gëzhoja plumbash
Plagosja e trefishtë në Gjakovë, avokatja e të dëmtuarve tregon versionin e tyre të ngjarjes
Si vrasje e rëndë në tentativë është cilësuar plagosja e trefishtë që ndodhi të dielën në Gjakovë. Personi i dyshuar është ende në arrati.
E gjithë ngjarja ndodhi më 10.03.2024 në 00:05h, e për rastin është informuar Policia e Kosovës e edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Për këtë ngjarje është deklaruar edhe avokatja e palës së dëmtuar, dy prej të plagosurve, të cilët janë vëllezër.
Avokatja Edona Sina në emër të dy vëllezërve, D.S. dhe J.S., ka shpjeguar versionin e saj se si ndodhi e gjithë ngjarja në një lokal në Gjakovë.
Sina tha se vëllezërit janë plagosur në vendin e tyre të punës, nga i dyshuari Sh.A., i cili tha se ka shkrepur gjashtë herë në drejtim të të dëmtuarve.
“I ka shkaktuar tri plagë D.S. dhe tri plagë J.S.. Po ashtu, nga shkrepja e armës ka pësuar lëndim edhe një klient tjetër i lokalit” – tha avokatja.
Tutje Sina shtoi se të dëmtuarit kanë përvojë të gjatë në gastronomi dhe asnjëherë nuk kanë pasur probleme të tilla, e se siç thotë ajo “i gjithë qyteti i njeh si djem punëtorë e mikpritës.”
“Në anën tjetër, kryesi i kësaj vepre është emër i njohur për organet e rendit, ky është rasti i tij i 16-të i evidentuar. Kësaj radhe ndodhi plagosja, edhe sa raste tjera duhen te ndodhin për ta arrestuar e gjykuar këtë person?” – pretendoi avokatja.
Për këto pretendime, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Gjakovë mirëpo deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Avokatja e dy vëllezërve ka thënë se nuk ka pasur fjalosje në mes palëve të përfshira.
Sina tha se i dyshuari kishte shkuar tek lokali rreth orës 12 të natës dhe kishte kërkuar tavolinë, ku, sipas avokates, D.S. iu kishte drejtuar duke i thënë nuk janë duke vazhduar me punë më, pasi edhe Policia ia kishte ndalur muzikën dy herë.
Avokatja tha se pas kësaj, i dyshuari qëndroi për disa minuta në lokal, “më pas doli nga lokali, shkoi te vetura e tij dhe u kthye përsëri në lokal.”
“Ai hyn me vrull në drejtim të D.S. dhe J.S. duke shkrepur armën disa herë në drejtim të tyre. Kjo do të thotë se nuk ka pasur fjalosje, raportet e tyre edhe më herët kanë qenë normale” – tha Sina.
Avokatja kërkoi nga organet e rendit “që të punojnë me profesionalizëm të lartë, pa asnjë ndikim, dhe shumë përkushtim që, sipas saj, recidivistët e tillë të mos lihen asnjë ditë në liri.”
Ajo i bëri thirrje Policisë “që të përdorë të gjitha kapacitetet për arrestimin e tij sa më të shpejtë, hetime efikase pa gabime, si dhe gjykim të drejtë, e mbi të gjitha të paanshëm.”