Qeveria përgatit ligjin për ndalimin e lojërave të fatit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Qeveria ka përgatitur ligjin e ri i cili do të ndalojë lojërat e fatit.

“Për Mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, Zyra e Kryeministrit ka përgatitur ligjin, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues dhe do të ndalojë lojërat e fatit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në seancën e  jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, 74 deputetë kanë votuar unanimisht për miratimin e rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

49 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bënë propozim-rezolutë lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës.

Haradinaj ndërkohë, e përshëndeti këtë nismë.

Të premten, kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se ka kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit.

“Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish. Ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë”, ka shkruar kryeministri.

Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ka filluar aksionin për mbylljen e lojërave të fatit dhe kazinove në të gjithë territorin e vendit.

Ky aksion i cili është duke vazhduar ende është bërë në bashkëpunim të tri institucioneve të Kosovës, Dogana e Kosovës, Policia e Kosovës si dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Seanca e Kuvendit dhe aksionet e Policisë erdhën pas dy rasteve të vrasjeve të dy personave, një në Suharekë dhe një në Lipjan, të cilët ishin punëtorë të kazinove.

Në bazë të statistikave të Administratës Tatimore të Kosovës aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 23 biznese që janë të specializuara për hedhje të basteve në sporte të ndryshme, që së bashku kanë 124 lokale.

Përveç tyre janë edhe 17 biznese, të cilat kanë 1,538 automate të licencuara dhe 43 rulete.

‘Lëkundja’ qeveritare për bixhozin