Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Projektligji 'problematik' i kinematografisë, përplas kineastët mes vete dhe Ministrinë e Kulturës

Më në fund, pas një udhëtimi të gjatë të projektligjit të kinematografisë nëpër komisione dhe grupe të ndryshme punuese, i njëjti pritet të shqyrtohet në fund të këtij muaji ose fillim të shkurtit, në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Por, gjatë rrugës së shkuarjes dhe kthimit në komision, projektligji ka nxitur përplasje mes kineastëve, Ministrisë së Kulturës dhe shoqatave të artistëve si rezultat i ndryshimeve që ka pësuar krahasuar me ligjin në fuqi.

Në këtë projektligj nuk parashihet që drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës QKK-së të posedojë diplomë universiteti, sipas nenit 13 të projektligjit drejtori duhet të ketë vetëm përvojë pune profesionale në fushën e kinematografisë ose kulturës dhe përvojë në pozita drejtuese.

Në anën tjetër, për kriteret e zgjedhjes së drejtorit, Ministria e Kulturës ka thënë se çështja e diplomës është kriter i patejkalueshëm në ligjin për zyrtar publik, dhe do të përcaktohet me akt nënligjor.

Sipas tyre projektligji nuk i ka të përcaktuara të gjitha çështjet e rëndësishme kështu që pjesët e parregulluara do të nxirren pas hyrjes në fuqi të ligjit.

“Në Projektligjin e kinematografisë janë përcaktuar disa nga çështjet më të rëndësishme, ndërsa pjesët tjera të parregulluara do të adresohen në aktet nënligjore që do të nxirren pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Po ashtu çështjen e kualifikimit për pozitat drejtuese e ka rregulluar Ligji për zyrtaret publik, andaj çështja e diplomës universitare është kriter i patejkalueshëm me Ligjin për zyrtar publik dhe e njëjta do të përcaktohet edhe me akt nënligjor siç e ka përcaktuar Ligji i kinematografisë”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.

Projektligji ka shtuar edhe audio-vizualen në kompetencat e QKK-së dhe MKRS-së që nënkupton financimin e filmit, filmit eksperimental, projektin filmik multimedial dhe transmedial, serialin filmik, video lojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes.

Në projektligj është zvogëluar gjoba për kundërvajtje nga distributorët, pronarët ose qiramarrësit që ndërrojnë qëllimin e veprimtarisë së kinemasë pa pëlqimin e QKK-së, dënimi përcaktohet të jetë prej 10,000 deri në 20,000 euro. Ndërsa në ligjin aktual, gjoba arrin shifrën 20,000 deri në 120,000 euro.

Sipas projektligjit nuk do të ketë më Këshill Drejtues por Këshill Profesional, ndërsa është zgjatur mandati i anëtarëve nga tre në katër vjet, përderisa në ligjin aktual mandati i anëtarëve të këshillit është vetëm tre vjet me të drejtën që dy anëtarë të rizgjedhen edhe për një mandat radhazi.

Ardian Gola kryetar i Komisionit Parlamentar Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka bërë të ditur që projektligji do të shqyrtohet në komision në fund të janarit ose fillim të shkurtit.

“Më 16 janar fillon sezoni pranveror, ne e bëjmë mbledhjen e  komisionit, mund jetë edhe në fund të janarit ose fillim të shkurtit, besoj do të procedohet me lexim të parë”- tregoi Gola.

MKRS ka treguar se kush ishin pjesë e grupit punues në hartimin e projektligjit.

“Grupi punues për hartimin e Projektligjit të kinematografisë ka pas këtë përbërje: Jehona Shyti, Lum Çitaku, Brikena Mulliqi, Kimete Berisha, Mehdi Uka, Liridona Hoti (ZKM), Atifete Jakupaj (MFPT), Taibe Selmani”- njofton MKRS-ja.

Ministria e Kultures,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Kundërshtimet mes kineastëve për ndikime të grupeve të interesit dhe arsyet e ndryshimeve nga MKRS-ja

Lidhur me ndryshimet rrënjësore të projektligjit ka pasur reagime qoftë kundërshtuese apo edhe aprovuese nga kineastët e Kosovës dhe Ministria e Kulturës.

Producentja kosovare, Valmira Baruti, ka thënë se nuk është e mundshme që QKK-ja të udhëhiqet nga drejtor që nuk kanë dëshmi shkollimi në këtë fushë.

“Si është e mundur që në kriteret për përzgjedhjen e një drejtori për të drejtuar një institucion publik nuk i kërkohet diplomë universiteti. Mundet me thanë që ajo do të ceket në konkurs. Po pse nuk është shtuar edhe në ligj. Nëse e kanë marrë mundimin me i shtu gjithë ato kritere në draftligj, pse e kanë harruar shkollimin. Pika 1.4 thotë që kandidati duhet të ketë program për menaxhimin e QKK-së. A po pritni prej nië personi pa diplomë, e me njohuri të përgjithshme për kulturën, me pas program për QKK-në”- potencoi Baruti.

Audio-vizualja është shtuar në kompetencat e QKK-së dhe MKRS-së, producentja e filmit Valmira Baruti kritikon ndryshimin, që sipas saj është bërë për të financuar seritë televizive të producentëve dhe regjisorëve të QKK-së.

Sipas Ministrisë së Kulturës shtimi i audiovizuales ka ndodhur për shkak të kërkesave të vazhdueshme të komitetit të kineastëve, dhe sepse sektori i industrisë së filmit nuk mund të mendohet pa mbështetjen e audio-vizuales.

“Rregullimi i veprës audio-vizuale ka qene një nga kërkesat e vazhdueshme të komunitetit të filmit në vitet e fundit, si dhe marrë parasysh edhe praktikat më të mira të kohës që e rregullojnë veprën audio vizuale. Zhvillimi i sektorit të industrisë së filmit sot nuk mund të mendohet pa njohjen dhe mbështetjen e veprës audiovizuele, e cila në Projektligjin e kinematografisë është definuar që mund të jetë vepër si: film, film eksperimental, projekt filmik multimedial dhe transmedial, seriali filmik, videolojërat dhe çdo vepër tjetër me pamje dhe me apo pa zë, pavarësisht teknologjisë me të cilën është krijuar dhe mënyrës së shfaqjes”- pohon MKRS-ja.

Po ashtu Baruti ka theksuar se Lum Çitaku dhe Zoga Çeta kanë lidhje familjare dhe se e kanë hartuar koncept dokumentin për kulturë.

“Ne grupin e hartimit te koncept dokumentit për kulturën janë emrat Lum Çitaku dhe Zoga Çeta. Zoga është gruaja e vëllait te Lum Çitakut, u.d. drejtorit të QKK-së. A është ky konflikt interesi (Pra, kur burri i Zogës ka qenë anëtar i këshillit në QKK, vëllai i tij Lumi u bo pjesë e stafit. Pavarësisht konfliktit të interesit, Lumi ngritet në pozitë dhe harton koncept dokumentin për kulturën në vend bashkë me gruan e vëllait që e ka vendosur në QKK. Zoga është përgjegjëse e kulturës në MKRS”- ka thënë ajo.

Në hartimin e Koncept Dokumentit për Art dhe Kulturë, emri i Zoga Çetës figuron në grupin punues si përfaqësuese nga Departamenti për Kulturë, gjithashtu edhe emri i Lum Çitakun bën pjesë aty si përfaqësues nga QKK-ja.

Sipas Barutit meqenëse është e vendosur audio-vizualja, atëherë duhet të ndërrohet emri i QKK-së dhe të bëhet Qendra Kinematografike dhe Audiovizuale e Kosovës, por këtë është dashur të ketë një përgatitje dy – tre vjeçare të stafit.

“Çka ka bo saktësisht MKRS-ja për me u përgatitë profesionalisht që me shtu audiovizualen në misionin e saj. Shembull, kur institucioni financues i filmit në Francë (CNC) e ka shtu audiovizualen, është bërë një përgatitje dy-tri vjeçare i gjithë stafit duke shtuar departament të ri, e duke punësuar specialistë të fushës. Gjithashtu, e kanë ndërruar edhe emrin e institucionit duke ia shtuar misionin e ri. Kjo dmth që QKK-ja do duhej te quhej Qendra Kinematografike dhe Audiovizuele e Kosovës”- thekson ajo kritikën ndaj shtimit të audio-vizuales në projektligj.

Ministria e Kulturës e pyetur për arsyen e zgjerimit të kompetencave të QKK-së dhe shtimit të audio-vizuales ka thënë se ndër të tjera ky është misioni i QKK-së, të zgjerojë kompetencat në përputhje me zhvillimet në këtë fushë.

“QKK vazhdon të ketë misionin e njëjtë me zgjerim të disa prej kompetencave, në përputhje me zhvillimet bashkëkohore të sektorit të kinematografisë”- thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Kineastët pro dhe kundër projektligjit

Aktori dhe producenti Naser Rafuna ka rekomanduar disa pika të cilat sipas tij i mungojnë projektligjit dhe që të njëjtat është dashur të përfshihen.

Sipas tij anëtarët e jurisë vlerësuese nuk do duhej të bëheshin anëtarë të konkurseve të ardhshme pa kaluar katër vite, kjo jo vetëm për të shuar dyshimet por edhe për të rritur transparencën në mos dhënien e projekteve grupeve të interesit.

“Anëtarët e jurisë vlerësuese, nuk mund të behën anëtarë të konkurseve të ardhshme deri në afatin prej 4 vitesh. Kjo për transparencë dhe me ju ikë dyshimeve se bëhet rrethi i dhënies së projekteve për interesa të ngushta”- rekomandoi Rafuna.

Ai kërkon të gjenden mënyra që paratë që jepen nga buxheti i shtetit të mos dalin jashtë, siç ndodh zakonisht me producentët në konkurset publike.

“Producentët në konkursin publik përpos tjerash të paraqesin edhe me parakontratë me produksionet vendore për realizimin teknik dhe xhirues të projekteve që aplikojnë. Kjo për shkak se, mjetet e buxhetit të Kosovës me mbet në vend e jo të bëhen nga produksionet e jashtme qysh ndodh në shumicën e rasteve”- bën të ditur Rafuna.

Ndërsa, producenti dhe aktori Fatmir Spahiu tha se ligji aktual nuk përkon me kohën dhe zhvillimet në botë, për këtë e mbështet projektligjin sepse edhe rabati shërben për të mbuluar shpenzimet e veprave filmike apo audio-vizuale jo vetëm vendore por edhe të huaja, gjë që rrit investimet në Kosovë.

“Ligji i vjetër është jo funksional dhe nuk përkon as me kohën e as me zhvillimet në rajon e botë. “Rabati” në ligj është diçka që vlen dhe që mundet me hapë Kosovën për sa i përket investimeve të huaja dhe këtë aspekt të ligjit e mbështes shumë”- tha Spahiu.

Bazuar në nenin 19 të projektligjit të ri të drejtë për rabat kanë edhe personat juridikë me seli në një vend të huaj përmes producentit të regjistruar në Republikën e Kosovës që kanë nënshkruar marrëveshje me qëllim të krijimit të një vepre filmike apo audio-vizuale dhe që plotësojnë disa kritere, si: kanë të drejtat përkatëse autoriale për projektin, kanë së paku një vepër filmike apo audio-vizuale të shfaqur publikisht në kinema, TV apo platforma të tjera gjatë tre vjetëve të fundit, shpenzimet e planifikuara në Republikën e Kosovës për qëllimet e projektit duhet deklaruar në QKK.

Po ashtu, regjisori Samir Karahoda e sheh projektligjin e ri më të avancuar dhe me mundësi të pakufizuara të pjesëmarrjes së artistëve në industrinë e filmit, përfshirë largimin e barrierave me kritere të kufizuara edhe përzgjedhjen e drejtorit të QKK-së dhe Këshillit Drejtues.

“Nëse e krahasojmë me ligjin e kaluar është shumë më i avancuar, shumë është më i hapur nuk ka kufizime që na kanë shkaktuar probleme sidomos si ligji ekzistues që ka shumë kufizime si për neve si autor ashtu edhe përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit edhe të drejtorit në këtë rast. Nëse flasim për shembull për anëtarët e këshillit që kanë qenë të kufizuar për të qenë pjesëtar të industrisë së filmit, ajo ka krijuar shumë probleme sepse secili anëtar që merret me film në ditë të sotit nuk mundet me sakrifiku karrierën dhe me qenë anëtar i këshillit për një pagesë modeste, ata që kanë dashur të punojnë për një film nuk ka mundur të jetë pjesë e këshillit”- tha Karahoda.

Për të, mjafton që drejtori të ketë vizion dhe bashkëpunime me jashtë që të mbajë këtë post, e vetmja pikë që nuk pajtohet është zvogëlimi i gjobës për kundërvajtje.

“Nuk mund t’i kufizojmë me ligj njerëzit automatikisht dhe me zvogëlu rrethin opsioneve për drejtor, unë mendoj që duhet të jetë një njeri që ka vizion, që mundet me lidh marrëveshje me shtete të ndryshme dhe nëse prapë kufizohemi që ai duhet me pas diplomë universiteti të filmit, unë jam kundër asaj, ndërsa në pikën për dënimin për kundërvajtje nuk pajtohem duhet me qenë si në ligjin aktual”- tregoi ai.

Për draftimin e projektligjit  janë ngritur vërejte nga shoqata e artistëve “Pro Arte”.

Shoqata “Pro Arte” thotë se draft-ligji është hartuar nga një grup interesi në lidhje të ngushtë me MKRS-në.

“Fillimisht, duam që të ju njoftojmë se ky draft-ligj është krijuar nga një grup i interesit në lidhje të ngushtë me MKRS-në dhe Ministrin Çeku, duke anashkaluar plotësisht dy shoqatat më të mëdha të në vend, Shoqatën e Artisteve të filmit PRO ARTE si dhe Unionin e artistëve të filmit të Kosovës. Duke mos qenë, pjesë as e diskutimeve publike dhe as e hartimit të këtij ligji”- theksuan ata.

Por, u.d. i QKK-së Lum Çitaku ka kundërshtuar këtë, sipas tij përgjatë dy viteve gjatë hartimit të projektligjit janë konsultuar ekspertë ndërkombëtar të fushës, janë organizuar diskutime publike duke mos përjashtuar asnjë komunitet filmbërës.

“Ndër të tjera, gjatë vitit 2021 dhe 2022, janë organizuar diskutime publike, fokus grupe, si dhe punëtori me ekspertë ndërkombëtar të fushës, të dedikuara për të informuar kualitativisht përmbajtën e projektligjit. Në këto diskutime, fokus grupe dhe punëtori, dy viteve të fundit gjithnjë kanë qenë të ftuar, pa dallim, i gjithë komuniteti filmbërës. Siç parashihet, projektligji po ashtu ka qenë tri javë në fazën e konsultime publike dhe i hapur për komentim për të gjithë qytetarët e interesuar”- pohoi Çitaku.

Në anën tjetër, regjisori Mahir Musliu, përzgjedhjen e personave të filmografisë e konsideron të ulët sa i përket kualifikimit.

“Mendoj se me nene duhet të sanksionohet mënyra që aty ku merren vendime së paku të jenë njerëz të filmit. Sepse deri tani nëpër juri në QKK ka pasur raste kur janë involvuar njerëz pa pedigre e të kaluar që lidhet me filmografinë”- pohoi Musliu.

Sipas tij ndarja e fondeve të Qendrës Kinematografike të Kosovës është korruptive dhe kjo praktikë duhet të ndryshohet.

“Fillimisht veçimi si ligj i veçantë dhe mos inkuadrimi në ligjin për kulturën është një sihariq i gëzueshëm për artistet e filmit. Por a mjafton vetëm kjo? Natyrisht që jo. Mendoj se duhet ndryshuar kursi korruptiv e nepotist i ndarjes së fondeve në QKK. Sepse mentaliteti ynë është Monokrat dhe si i tillë nuk lejon mozaik dhe kolorit të zhvillimit të shumanshëm të një kinematografie që konkurron në Evropë dhe Botë”- tha ai.

Sipas shoqatës “Pro Arte” në qarqe të mbyllura ka qarkuar draftligji ndërsa për këtë ata nuk janë konsultuar aspak, këtë e quajnë “rrëmujë tautologjike të termeve kinematografike dhe juridike”.

“Jemi dëshmitar se kohët e fundit ka qarkulluar në qarqe të mbyllura një i ashtuquajtur ‘draft-ligj për kinematografi’. Po themi i ‘ashtuquajtur’, meqenëse kjo lloj amalgame qe pretendon të shndërrohet në ligj, s’është gjë tjetër përpos një rrëmuje tautologjike e termeve kinematografike dhe juridike, një përpjekje për të përkufizuar këto terme me një padije te pashembullt dhe me naivitet gati qesharak. Për të qenë edhe më keq, këtë të ‘ashtuquajtur draft-ligj’ për kinematografi tani sipas njoftimit të Ministrit të Kulturës, e ka miratuar Qeveria dhe tani do të procedohet tutje për miratim në Kuvend”- njofton Pro-Arte.

Ata pohojnë që projektligji pretendon të shpallë kinematografinë “interes të veçantë”, me qëllim rritjen e buxhetit me arsye jo profesionale.

“Draft-ligji në fjalë, në vend se ta shndërroj ne institucion plotësisht te pavarur Qendrën. Kinematografike të Kosovës (ashtu siç janë në gjithë Evropën Qendrat, apo Fondet e Kinematografisë)), draft-ligji e bën të kundërtën. E centralizon dhe shtetëzon Qendrën. Kinematografike të Kosovës. E zhvesh nga atributet dhe rregullimi ligjor”- kanë thënë shoqata “Pro Arte”.

Projektligji parasheh që Komisioni i Kategorizimit  të përbëhet nga pesë anëtarë, personalitete të shquara të fushës së kinematografisë, kulturës, sociologjisë, psikologjisë dhe shoqërisë civile.

Komisioni i Kategorizimit, në bazë të nenit 17 të këtij projektligji shton një kategori për lejen e shikueshmërisë të shfaqjes publike për personat nën moshën 10 vjeçare, ndryshe prej ligjit aktual të nenit 10 që ka tre kategori për leje të shikueshmërisë dhe nuk e përfshinë moshën 10 vjeçare.

(Shënim, ky artikull është përmirësuar në disa paragrafe, për shkak të disa gabimeve teknike)