Kush do të vendosë për punësimet në agjencitë e pavarura?
Drejtori i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), Naser Shamolli ka thënë se sipas Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, MAP do të bëj punësimin për institucionet e Administratës shtetërore, përfshinë ministritë dhe agjencitë ekzekutive që praktikisht i bie dega e ekzekutivit.
“Kompetenca nuk shtrihet te institucionet e pavarura nuk shtrihet edhe te komunat. Kompetenca e MAP-it do të jetë vetëm në rekrutimin e jashtëm për kategorinë profesionale, për zhvillimin e karrierës, avancimet do t’i bëjnë vetë institucionet, njësitë e burimeve njerëzore brenda vetë institucioneve”, ka deklaruar Shamolli përballë Jeta Xharrës, në emisionin “Jeta në Kosovë”.
Shamolli, në emisionin “Jeta në Kosovë” për punësimet në institucionet publike ka thënë se një ndër risitë që e sjell Ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura është që ndërrohet logjika e punësimit sipas pozitës.
“Praktikisht do të kemi rekrutim në grup nuk do të jenë rekrutime që do të përgatiten nga jashtë”, ka shtuar Shamolli.
Më tej, drejtori i Zyrës Ligjore në MAP, Naser Shamolli ka theksuar se sipas ligjit, do të jenë dy grupe që do të bëjnë klasifikimin dhe pranimin e zyrtarëve të rinj, të cilat do të jenë të ndara në grupe të veçanta dhe grupe të përgjithshme.
“Grupet e veçanta do të lidhen sipas llojit të diplomës. Deri tash kemi arritur t’i bëjmë 52 grupe të veçanta, të tipit, specialist i ligjit, kërkohet diploma e juridikut por ndalohen shkencat e tjera sociale, e cila ka qenë praktikë deri tani. Praktikisht do të jenë 52 komisione që do të miratohen nga Qeveria”, ka përfunduar Shamolli.
Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.
Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosjëe për formimin e qeverisë së ardhshme.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: