Komisioni per Administrate Publike...FOTO KALLXO - 05.11.2018

Kryetarët me kompetenca shtesë me ligjin e ri për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale

Komisioni për Administratë Publike ka miratuar shqyrtimin e propozim ndryshimeve për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Nait Hasani nga PDK, tha se amendamentet që janë kërkuar t`i ndryshojnë do t`u mundësojnë komunave zhvillim më të qëndrueshëm.

“Amendamentet që jemi pajtuar në grup punues kërkojmë nga komisioni t`i miratojmë. Nuk janë në kundërshtim me asgjë janë në formën e zhvillimit pozitiv të komunave”, tha Hasani.

Deputeti nga LVV, Adem Mikullovci tha se: “Me këtë ligj tepër janë favorizuar kryetarët e komunave sepse po ju jepen të drejta edhe për keqpërdorime”.

Ndërsa deputetja nga PSD, Shqipe Pantina tha se shumicën e ndryshimeve i kanë miratuar në mënyrë unanime.

“Me këtë ligj kryetari negocion, por fjalën përfundimtare e jep kuvendi komunal”, tha ajo.

Milaim Zeka, deputet nga Nisma Socialdemokrate, tha se me projektligjin e ri komuna në mënyrë të drejtpërdrejt ka të drejt më negoicu për atë që është në dobi të komunës.

“Edhe buxheti është nda pak si me të njohshëm, dhe kjo jam i bindur që jep hapësirë shumë të madhe kryetarëve të komunave për me vendos për komunën e tyre”, tha Zeka.

Ndërsa Arban Abrashi nga LDK, tha se dhënia e kompetencave kryetarëve të Komunave për të negociuar me investitorët për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale do ti hap rrugë vet zhvillimit të komunave.

“Mendoj që i hap rrugë zhvillimit lokal. Nëse vjen një investitor në komunë ne me i thonë po. Kur po ka dallavere në komunë kjo po bëhet në mënyrë jo transparente, bile këtu bëhet transparente. E kisha hequr dilemën që kryetarët po marrin shumë kompetenca”, tha Abrashi.