Televizioni i Burrave të Kosovës -Menaxhmenti i lartë i RTK-së dhe dy gazetaret dhe juristja që u refuzuan për pozitat e larta| Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Hulumtimi 'Radio Televizioni i Burrave' reagon Doarsa Kica Xhelili

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica Xhelili ka reaguar pas publikimit të hulumtimit ekskluziv të KALLXO.com, “Radio Televizioni i Burrave”, mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionit Publik.

Kica Xhelili e ka quajtur paradoksale faktin që bordi i RTK-së “nuk po e përfill formulën gjinore dhe ligjore me të cilën është zgjedhur vet”.

“Të gjithë ata anëtarë janë plotësisht të vetëdijshëm që gjatë procesit të emërimit të tyre jemi ballafaquar me kritika e rezistencë që ta bëjmë një hap shtesë për arritjen e barazisë faktike gjinore. Dhjetëra shigjeta u patën kthyer nga ne pikërisht për këtë. E gjithë ajo betejë nuk u bë që Bordi t’i harroj parimet bazë mbi të cilat është zgjedhur, e që ishin meritokracia, evitimi i plotë i ndërhyrjeve politike dhe barazia gjinore” – ka thënë deputetja.

Ajo theksoi se “nëse diçka nuk ndryshon urgjentisht, storja e dikurshme e suksesit mund të shndërrohet në storje të një vazhdimësie të standardeve të vjetra”.

“Barazia gjinore nuk është betejë e njëhershme por sfidë e përhershme”- shtoi Kica Xhelili.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin me rrëfimet e tri profesionisteve të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik (RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK kanë rrëfyer procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Pas publikimit të këtij hulumtimi kanë reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, kryeshefja e Agjenisë për Barazi Gjinore, deputetë nga pozita e opozita si dhe Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane.

Në mbledhjen e fundit të bordit të RTK-së të mbajtur me 6 shtator është miratuar propozimi që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

Ndër të tjera, kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se “ka marrë informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.

Kjo deklaratë ngjalli reagime të Sindikatës së Pavarur të RTK-së si dhe të Menaxherit të Arkivit Filmit të RTK-së, Fisnik Dërguti. 

Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave”, Halimi: Diskriminimi i grave në RTK është evident

Kryetari i Bordit të RTK-së: Marr informacione se ka punëtorë që vijnë në punë me pizhame