Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Deputetë nga pozita dhe opozita reagojnë pas publikimit të hulumtimit 'Radio Televizioni i Burrave'

Pas reagimit të Rrjetit të Grave dhe Zyrës për Barazi Gjinore edhe kryetarë të grupeve parlamentare, deputetë dhe zyrtarë shtetërorë, kanë reaguar lidhur me hulumtimin ekskluziv të Kallxo.com: “Radio Televizioni i Burrave”, mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e larta në menaxhment të Radiotelevizionit Publik. 

Mimoza Kusari- Lila, kryetare e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, grupi më i madh parlamentar tha, se detajet e proceseve që përshkruhen në hulumtim “…nuk i kam pasë, në fakt, asnjëra nga kandidatet nuk na ka kontaktu (të paktën mua jo dhe tjerët rreth meje), për ndonjë parregullësi”.

Parlamenti i Kosovës e kishte zgjedhur Bordin e RTK-së duke e respektuar ligjin për barazi gjinore deri në maksimum, duke i zgjedhur 50% gra e 50% burra në dhjetor 2021 por kjo përbërje nuk u reflektua fare në menaxhmentin e lartë të RTK-së ku u zgjodhën të gjithë burra përkundër faktit që 3 gra kishin dal të parat në konkurset e përbëra nga komisionet profesionale.

“Më vjen keq nëse nisma aq shumë e synuar për barazi (gjinore në bord) po dështon në RTK (nëse komfirmohen këto ndërhyrje), por natyrisht që përmes Komisionit funksional do t’i përcjelli prej së afërmi këto procese”, tha Kusari- Lila për Kallxo.com më 2 shtator, një ditë pasi që u publikua hulumtimi.

Tri partitë opzitare LDK, PDK dhe AAK po ashtu kanë reaguar.

Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së tha që “ky pushtet është shndërruar në pushtet diskriminues. Rasti i diskriminimit të grave për pozitat vendimmarrëse në RTK është në vazhdën e sjelljes diskriminuese të këtij pushteti”.

“Diskriminimi që iu bë këtyre grave profesioniste, meritore dhe shumë të suksesshme është i papranueshëm dhe i dënueshëm, andaj duhet të kemi qasje përbashkuese në ballafaqim me këtë padrejtësi të madhe pushtetare”, tha Gashi për Kallxo më 4 shtator.

Gashi spjegoi që LDK ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën e drejtimit të RTK-së edhe para daljes së këtij publikimi, për shkak të anshmërisë së RTK-së dhe ka më shumë se një vit që kjo parti e bojkoton RTK-në duke e konsideruar “si një institucion në funksion partiak të VV-së”.

“Në vazhdën e (shumë) shkejeve që bëhen në RTK me ndikim politik, (tash) është edhe shkelja e ligjit për barazi ligjore”, përfundoi Gashi.

Në anën tjetër, Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së dhe Eliza Hoxha, deputete që ngrit çështje të të drejtave të njeriut dërguan një deklaratë të përbashkët në Kallxo.com më 5 shtator duke thënë që është “për keqardhje të shohësh në vazhdimësi presionin politik dhe diktimin që bëhet në proceset e zgjedhjes në pozitat drejtuese të institucioneve publike, në këtë rast RTK-së”.

“Një qeveri që ka marr 67% të votës së gruas në Kosovë, një qeveri që flet gjithë ditën për barazi e respektim të ligjit për barazi gjinore për proceset perzgjedhëse e shohim çdo ditë duke e bërë të kundërtën”, shtuan Tahiri dhe Hoxha.

“Rasti i tri pozitave drejtuese në RTK ku 3 gra kishin potencial e bagazh të ishin udhëheqëse (por që nuk u bënë) e tregon qartë ndikimin politik dhe gjinor. Edhe pse njëri nga proceset kishte pasur shkelje procedurale, dy proceset e tjera ai për drejtor të radios dhe udhëheqëse të shërbimeve të përbashkëta kishin nxjerr me pikë maksimale Flora Durmishin dhe Mihrije Beiqin. Por Bordi ri i RTK-së i kishte refuzuar që të dyja pa asnjë arsyetim”, thanë Hoxha e Tahiri.

Është e pafalshme të shohësh se si gra me këso potenciali dhe eksperiencë pune të gjatë brenda institucionit refuzohen vetëm pse nuk u duken të përshtatshme politikisht apo….?

Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së tha më 5 shtator që “anashkalimi i tri profesionisteve gra të cilat në procese të konkursit nuk u përzgjodhën të merrnin asnjë nga pozicionet udhëheqëse në Televizionin Publik (përkundër që dolën të parat me poena) tregon logjikën diskriminuese dhe mungesën e vizionit”.

Edhe dy pjesëtare të Vetëvendosjes që ishin njëra gazetare dhe tjetra aktiviste e të drejtave të grave para se të hyjnë në parti, reaguan lidhur me këtë hulumtim.

Tinka Kurti, tash udhëheqëse e grupit të grave në parlamentin e Kosovës nga rradhët e Vetëvendosjes dhe dikur gazetare tha se “asnjë ankesë nga këto gra nuk ka ardhur në Kuvend. Ato janë të afta dhe të zonja për t’i mbrojtur të drejtat e tyre nëse ka pasur ndonjë parregullsi”.

“Unë sigurisht që jam mbrapa për t’i përkrahur nëse ka parregullsi gjinore ose të ndonjë natyre tjetër”, tha Kurti më 5 shtator për Kallxo.com

Ndërsa Nazlie Bala, ish aktiviste e tash këshilltare politike në Ministri të Drejtësisë tha se:“Kemi gra të zonja dhe profesioniste të dëshmuara në punë dhe kudo. Kur kemi të bëjmë me vendimarrje dhe punësimin e grave, hulumtimi i Kallxo.com ka nxjerr në pah diskriminimin gjinor dhe pabarazinë gjinore”, tha Bala.

“Duhet të përdoren të gjithë mekanizmat ligjorë për vënie të drejtësisë. Përpjekjet tona janë dhe do të jenë në vazhdimësi për më shumë gra në vendimarrje dhe kundër çdo lloj diskriminimi gjinor”, përfundoi ajo në deklaratën që e dërgoi në Kallxo.com më 5 shtator.

Menjëherë pasi që doli hulumtimi reagoi Rrjeti i Grave të Kosovës e pastaj edhe Zyra për Barazi Gjinore.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, reagoi një ditë pas publikimit të hulumtimit ekskluziv të KALLXO.com “Radio Televizioni i Burrave”, mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionin Publik.

Halimi ka thënë se diskriminimi i grave në pozitat vendimmarrëse në RTK është evident, edhe pse Kosova ka një Ligj për barazi gjinore.

Për këtë, sipas saj duhet të ketë reagim gjithëshoqëror.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin me rrëfimet e tri profesionisteve të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik (RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave”, Halimi: Diskriminimi i grave në RTK është evident

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK kanë rrëfyer procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.