Televizioni i Burrave të Kosovës -Menaxhmenti i lartë i RTK-së dhe dy gazetaret dhe juristja që u refuzuan për pozitat e larta| Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com
Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave”, reagon kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore
Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit ekskluziv të KALLXO.com “Radio Televizioni i Burrave”, mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionit Publik.
Gusia ka thënë për KALLXO.com se përkrah reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës ndërsa theksoi se me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ilire Zajmi, Flora Durimishi dhe Mihrije Beiqi kanë të drejtë të ngrisin padi.
“Me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi të tri kandidatet kanë të drejtë të ngrisin padi për diskriminim deri në 5 vite pasi ka ndodh diskriminimi dhe në momentin kur e kanë kuptuar që ka ndodhë diskriminimi. Duke u bazuar vetëm në hulumtimin tuaj fitohet përshtypja se diskriminimi ka ndodhur në të tri rastet, andaj që të tri kandidatet kanë rast të pastër për gjykatë themelore, ku njëra veç e paska ushtru këtë të drejtë”- ka thënë kryeshefja ekzekutive e Agjenicë për Barazi Gjinore.
Ajo tha për KALLXO.com se duhet të ketë edhe një opionion nga Avokati i Popullit si dhe sipas saj “ do të duhej të kërkohej nga ana e Komisionit Parlamentar që e mbikëqyrë RTK-në të fillojë një hulumtim mbi procesin e emërimeve për shkelje, diskriminim dhe Ligjit për Barazi Gjinore dhe jo vetëm”.
KALLXO.com ka publikuar hulumtimin me rrëfimet e tri profesionisteve të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik (RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.
Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK kanë rrëfyer procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.
Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Lidhur me këtë, pas publikimit të hulumtimit ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës duke mbështetur Ilire Zajmin, Mihrije Beiqin e Flora Durimishin të cilat kanë rrëfyer përvojat e tyre në konkurset e RTK-së.
“Ne duam të mbështesim këto gra dhe të gjitha gratë që kanë synime për pozita vendimmarrëse të qëndrojnë të forta dhe të mos dorëzohen nga presionet që mund të iu behën dhe përmes rrugës ligjore t’i fitojnë të drejtat e tyre”- kanë deklaruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
RrGK i ka bërë thirrje bordit të Radiotelevizionit të Kosovës “që të jenë të kujdesshëm dhe ta respektojnë legjislacionin vendor e të mos diskriminojnë gratë por të mbështesin dhe të promovojnë ato të cilat edhe pse veprojnë në një ambient të zënë nga burrat, marrin guximin dhe duke u bazuar në profesionalizmin e tyre konkurojnë dhe duan të promovohen në pozitat që i meritojnë”.
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit ekskluziv të KALLXO.com “Radio Televizioni i Burrave”, duke thënë se diskriminimi i grave në pozitat vendimmarrëse në RTK është evident, edhe pse Kosova ka një Ligj për barazi gjinore.
Për këtë, sipas saj duhet të ketë reagim gjithëshoqëror.
“Aty ku gratë nënvlerësohen në raport me burrat dhe ku institucionet nuk njohin meritokracinë, ai vend vuan nga mungesa e drejtësisë dhe emancipimit shoqëror…Barazia gjinore është vlera fundamentale e shoqërive demokratike. Kosova duhet ta jetësojë mendësinë përparimtare dhe kjo vlerë nuk duhet të mbetet peng e vendimeve arbitrare” – ka shkruar Halimi sot në Facebook.
Pas publikimit të hulumtimit “Radio Televizioni i Burrave” nga KALLXO.com ka reaguar edhe Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane.
Sipas tij, në RTK ka gra që mund të jenë në pozita të larta menaxheriale, por sipas tij, atyre nuk u vjen rendi që të zgjidhen. Muharremi ka thënë se në institucione publike duhet të u krijohet më shumë hapësirë grave.
“Përnime kemi shumë gra të afta dhe shkathëta… edhe ma shumë sesa burrat por s’po ju vjen rendi” – tha Muharremi në Facebook.