Adrijana Hoxhiq - Foto: KALLXO.com

Hoxhiq: Do të bëjmë gjithçka për të vërtetuar se Kosova nuk është shtet ligjor

Adrijana Hoxhiq, nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar, ka thënë të premten se ajo me pjesëtarët e iniciativës, do ta bëjnë gjithçka për të vërtetuar se Kosova nuk është shtet ligjor.

Deklaratat e saj vijnë pas vendimit të Gjykatës Supreme më 12 mars, e cila ka hedhur poshtë pjesën e mbetur të ankesave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në mesin e ankesave të refuzuara është edhe ajo e Iniciativës Qytetare Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq, e cila ka kundërshtuar një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ia ka anuluar mbi 4.200 vota, që i kishte siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe.

Ajo ka thënë se do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse nuk beson se do të ketë përgjigje të kënaqshme.

“Kjo nuk ka të bëjë më me Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar -Adrijana Hoxhiq. Kjo ka të bëjë me respekt bazik për rregullat dhe kjo është dëshmi që shoqëria në Kosovë nuk është e gatshme të jetë vërtet multietnike. Ne nuk duam të jetojmë me urdhrat e dikujt tjetër dhe nuk duam të asimilojmë veten”, është shprehur ajo.

Sipas Hoxhiqit, kjo situatë duhet të jetë shqetësuese për secilin person që jeton në Kosovë, pavarësisht se cilit komunitet i takon.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, ende nuk është bërë e qartë nëse Hoxhiq do të fitojë ulëse në Kuvendin Kosovës.

Këtë pozitë ka mundësi ta fitojë Duda Balje, kryetare e Unionit Socialdemokrat (SDU) nga komuniteti boshnjak.

Ajo ka thënë të premten se tani e tutje, kushdo që garon për ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, e ka të qartë që nuk mund të luajë me vullnetin e askujt.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ajo ka thënë se i vjen keq që disa njerëz janë “terrorizuar në këto zgjedhje” dhe se askush nuk mund të shkelë dinjitetin e asnjë komuniteti me vota të një komuniteti tjetër.

“Verdikti i organeve të drejtësisë së shtetit të Kosovës tregoi se demokracia nuk mund dhe nuk do lejohet të shkelet nga askush. Arrestimet për keqpërdorimet në procesin zgjedhor janë sinjal i qartë që s’ka lojë me shtetin ligjor”, ka deklaruar ajo.

Në po këtë ditë Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, lidhur me dyshimet për kryerje të veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Kllokoti është komunë me shumicë serbe në Kosovë, 55 kilometra larg Prishtinës derisa Dejanoviq është anëtar i Listës Serbe.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të premten është zhvilluar një aksion policor në Kosovë lidhur me procesin zgjedhor dhe dyshimet për keqpërdorime të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit./REL